E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: Jo bojkotit, por do respektojmë forumet

Blushi dhe Malaj janë kundër bojkotit, por shprehen se nuk do të marrin pjesë, ne rast se vendosin forumet


TIRANË - Kundërshtimi i një grupi të vogël deputetësh dhe anëtarësh të Asamblesë Kombëtare, ndaj zhvillimeve më të fundit politike në Partinë Socialiste, nuk do të shkojë në mosbindje ndaj vendimeve politike të forumeve partiake.


Këtë e ka bërë të ditur dje vetë drejtuesi i këtij grupimi opozitar brenda PS-së, Ben Blushi, i cili duke folur në konferencën për shtyp të mbajtur së bashku me Arben Malajn, ka bërë të ditur se kundërshtimi i tyre ka të bëjë thjesht me shprehjen e mendimit ndryshe, por jo me refuzimin e zbatimit të vendimeve të marra nga shumica e partisë.


Duke iu përmbajtur kësaj logjike, ai ka bërë të qartë se pavarësisht mospajtimit me vendimet e forumeve partiake, ai dhe gjithë deputetët që mbështesin këtë kauzë do të respektojnë çdo vendim të forumeve, përfshi këtu edhe atë për të mos hyrë në Kuvend. "Ne jemi brenda PS-së duke respektuar mendimet e shumicës së saj dhe kur jemi kundër tyre.


Nëse PS-ja pavarësisht se në mënyrë jotransparente, merr vendim se do bojkotojë Parlamentin, ne do i bindemi këtij vendimi, nuk do shkojmë në Parlament, pavarësisht se ai vendim nuk na pëlqen, por do ta themi fort se arsyet për të dalë nga Parlamenti janë personale", - tha Blushi, duke kërkuar nga media dhe opinioni publik, që të mos e interpretojë lëvizjen e tyre kundërshtuese ndaj mënyrës sesi po sillet PS-ja në raport me humbjen e zgjedhje, si një lëvizje që do të rivalizojë me vetë selinë rozë.


Si Blushi, ashtu edhe Malaj, duke komentuar këtë çështje, kanë kërkuar në mënyrë publike shpjegime nga kryetari i PS-së sesi do të arrijë të fusë më pas grupin parlamentar në Kuvend, pasi që të ndodhë kjo, duhet të plotësohen disa kushte apo kërkesa, që selia rozë duhet t'i vërë mazhorancës dhe për të cilat kjo e fundit duhet të lëshojë pe.


"Të shpjegojë në radhë të parë se me cilat kushte PS-ja do kthehet në Parlament, pra pyesim Ramën se si e ka menduar ai se të dalësh nga Parlamenti do të thotë që, për t'u kthyer, duhet të plotësohen disa kushte", - u shpreh Blushi.


Pavarësisht se ka bërë të ditur gatishmërinë për t'iu bindur vendimeve të forumeve edhe për bojkotin e Parlamentit, Blushi ka theksuar se mënyra sesi një vendim i tillë po i imponohet grupit është antistatutor dhe, për rrjedhojë, i dëmshëm.


Sipas tij, vendimi për të mos hyrë në Kuvend është i kryetarit të PS-së dhe jo i forumeve, pasi ka bërë të ditur ai, Asambleja vendosi të kundërtën.


Edhe kongresi, si organi më i lartë vendimmarrës, për Blushin nuk ka marrë vendim që t'ia lërë vendimmarrjen për pjesëmarrjen në Kuvend forumeve të tjera më të ulëta, siç mund të jetë edhe kryesia. "PS-ja nuk erdhi në kongres me idenë për të bojkotuar Kuvendin.


Kongresi nuk ka marrë vendim për të bojkotuar Kuvendin. Kongresi, me sa mora vesh dje, ne kemi qenë aty gati 8 orë, nuk u hodh ideja për bojkot nga askush, e dëgjuam bojkotin nga kryetari të nesërmen e kongresit.


Ai nuk pati guximin t'i thoshte partisë së vet se ne nuk duhet të shkojmë në Parlament, nuk e tha këtë, e tha vetëm të nesërmen dhe kjo është akoma më e rëndë, sepse nëse ke një opsion për ta ballafaquar me shokët e tu dhe për ta votuar qoftë edhe me votë, duhet ta thuash në Kuvendin e PS-së që është kongresi", - tha më tej Blushi, duke e konsideruar një gjë të tillë, nëse do ndodhë, si joproduktive.


Ndërmjet të tjerave, ai ka akuzuar kreun socialist se po vjedh mandatin e kryetarit të partisë, duke e zgjatur atë në kohë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›