Alcantara show, Spanja kampione

Kombëtarja e Spanjës U21 është shpallur kampion Evrope, pasi mposhti në finale kombëtaren e Italisë me rezultatin 4 me 2, në Evropianin U21 e që po zhvillohet në Izrael.
Lojtari kryesor i Spanjës në këtë finale ishte padyshim lojtari i Barcelonës Tiago Alcantara, i cili me tre golat e tij udhëhoqi Stuhinë e Kuqe drejt fitimit të titullit kampion.
Serinë e golave spanjollët e nisën qysh në minutën e 6-të, përmes Alcantaras, për ta barazuar italianët katër minuta më vonë me golin e Immobile.Golin e dytë Alcantara e shënoi në minutën e 31, ndërsa hat-trikun e kompletoi në minutën e 38 duke shënuar nga penalltia. Pjesa e parë përfundoi me këtë rezultat.
Pokerin spanjollët e plotësuan në minutën e 66 përmes talentit tjetër Isco, i cili shënoi po nga penalltia ndërsa golin e dytë për italianët e shënoi anëtari i Liverpoolit Fabio Borini në minutën e 79./indeksonline/