Alda Merini, shuhet zëri unikal i poezisë italiane
Alda Merinit, më të madhes poete italiane të shekullit të njëzetë, siç nuk kursehen ta quajnë mediat pasi mbylli sytë në Milano dy netë përpara, i bëhen sot homazhe në Katedralen e Milanos dhe përcillet në mesditë përgjithmonë.
78-vjeçarja, protagoniste e skenës kulturore italiane, vuante së fundi nga një tumor, që shënoi fundin e një jetë plot vuajtje prej sëmundjes mendore e cila për njëfarë kohe e shkëputi nga njerëzit por që ia bëri më të fortë dëshirën për të njohur ç'krijesë është njeriu dhe për të nxjerrë prej "andej" një gjuhë të bukur dhe mendim të mençuara.
Pikërisht për këtë, Merini pati ndikim tek lexuesit poezisë, joshi drejt saj kur potreti i gruas u shfaq për publikun e televizionit, me fjalë dhe mendime të thella dhe zërin karakteristik prej cigares, ashtu siç shihet në të shumtën e herëve. - "Kurrë nuk kam hequr dorë së tymosuri dhe së ëndërruari",- thotë ajo.
Alda Merini lindi në Milano më 1931. Në moshën 15-vjeçare botoi përmbledhjen me poezi "Prania e Orfeut" dhe tërhoqi vëmendjen e kritikës. Nga ana tjetër aty nisin marrdhëniet e vështira që ajo ka shkollën si institucion dhe kulturë që vjen prej "të tjerëve" jo prej vetes.
Atëherë i shfaqen shenjat e para të një sëmundje mendore që do ta ndjekë gjithë jetës. Ajo ka folur gjithnjë për këtë gjë dhe ka shkruar duke e përkufizuar vuajtjen e saj si "hije të mendjes", me të cilën, me kalimin e kohës u mësua të jetojë me të dhe dhimbja prej saj t'i shërbejë si instrument për njohjen e njeriun.
"Shërimi për mua ka qenë një mënyrë që të çlirohem nga e kaluara. Gjithçka ndodhi kaq shpejt. Herën e fundit që isha në Institut për t'u mjekuar nga depresioni më nodhi diçka që nuk e kisha provuar më parë.
U zgjova një mëngjes dhe i thashë vetes: po unë ç'dua këtu? Kështu rinis jeta ime. Nisa të shkruaj dhe të kem suksesin që as e kisha çuar ndër mend" dhe më pas shton. "Mendoj se çmenduria, sado pak, të ndihmon për të jetuar. Tek e fundit, një poet ka diçka aktori dhe të marri. Prandaj çmendina ishte për mua poema më e madhe e dashurisë dhe e vdekjes."
Qysh në fillimet krijimeve të saj poetike ajo ishte pranë mjeshtërve si Quasimodo, Montale dhe Manganelli të cilët mbështetën botimin e veprave të saj. Pas "Pranisë së Orfeut", vijnë "Damsa romane", "Frikë nga Zoti". Më 1953 u martua me Ettore Carnitin dhe bijës që pati me të, Emanuelës, i kushtoi vëllimin "Ti je Pjetri" (1961). Fillon sërish një periudhë e vëshirë, sa në klinikë në shtëpi, dhe me tre shtatzani të tjera. Pas vitit 1979 fillon të rishkruajë dhe përvojën e kësaj kohe e rrëfen në poezi dhe prozë "Toka e shenjtë".
Mbetet e vejushë më 1981, rimartohet me poetin Michele Pierri (1983) dhe bashkë shkojnë të jetojnë në Taranto ku përsëri takon fantazmat e mendjes së saj. Më 1986 kthehet në Milano ku jeton deri në vdekje. Në njëzet vjetëshin e fundit ajo shkroi pjesën më të madhe të veprës së saj: "Jeta e thjeshtë", "Jeta e lumtur", "E vërteta tjetër. Ditari i të pangjajshme", "Fjalët e Alda Merinit", "Në kërkim të një mendimi" etj.
Është vlerësuar me Premio Librex-Guggenheim "Eugenio Montale" për poezinë, Premio Viareggio, Premio Procida-Elsa Morante dhe Premio della Presidenza del Consiglio dei Ministri.