E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja i heq imunitetit gjyqtarit Hasa, nisin hetimet

Hetuesit e njësisë së Task- Forces së Tiranës, hetonin për korrupsion prej disa muajsh anëtarin e Gjykatës së Elbasanit


Dyshohet se i mori para një personi të dënuar për shitje droge, për të cilin prokuroria kishte kërkuar dyfishin e dënimit të dhënë


TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me kërkesë të kryeprokurores Ina Rama i hoqi dje imunitetin gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit në Elbasan, Qani Hasa, duke i hapur dritën jeshile Task- Forcës së kryeqytetit, për të vazhduar hetimet ndaj tij për akuzën e "korrupsionit" kundrejt dhënies së drejtësisë. Prokuroria prej muajsh po hetonte "sekserët" e gjyqtarit Hasa, të cilët kundrejt dhënies së drejtësisë nga gjyqtari përfitonin shuma të ndryshme parash.


Ndërkaq heqja e imunitetit u bë gjatë mbledhjes së djeshme të KLD-së. Pikërisht për këtë gjyqtar, Prokuria e Tiranës i kishte kërkuar disa javë më parë disa kërkesa specifike Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet e cila kishte kërkuar miratimin e disa kërkesave specifike të nevojshme për hetimin.


Rasti për të cilin anëtarët e Këshillit me kërkesë të prokurorisë i hoqën imunitetin gjyqtarit Hasa, sipas akuzës, ka të bëjë me çështjen e gjykimit të dosjes penale të një të riu nga Elbasani, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak të hetimeve. Këtë person të dënuar tashmë, prokuroria e akuzonte për "prodhim, mbajtje e shitjes të narkotikëve" në bashkëpunim dhe "falsifikim të dokumenteve".


Për këto vepra penale, përfaqësuesi i akuzës në leximin e konkluzioneve përfundimtare ka kërkuar nga gjyqtari Hasa ta deklarojë fajtor të pandehurin dhe ta dënojë atë me 10 vjet e 6 muaj burg. Mbrojtësi i të pandehurit, në pretendimet e tij përfundimtare ka kërkuar nga gjykata një masë më të ulët dënimi, duke cilësuar të pandehurin si përdorues.


Gjyqtari Hasa në kohën e tërheqjes për shpallje vendimi, ka mundur të përfitojë me ndihmën e "sekserit" të tij shumën prej rreth 3 milionë lekësh të vjetra. Kjo shumë është dhënë nga të afërm të të pandehurit kundrejt një mase më të butë dënimi.


Pas futjes së parave në xhep nëpërmjet "sekserit", Hasa ka vendosur që i pandehuri të dënohet përfundimisht me pesë vite burg. Ky rast, sipas prokurorisë, është provuar pas hetimeve të kryera nga njësia e Task- Forcës pranë Prokurorisë së kryeqytetit. Kjo njësi për një kohë disa mujore ka hetuar "sekserin" e gjyqtarit Hasa.


Për të provuar akuzat e ngritura, sipas burimeve nga prokuroria, mësohet se kjo e fundit ka siguruar një sërë bisedash të përgjuara, foto të takimeve të ndryshme dhe një video me pamjet filmike ku është regjistruar "sekseri" duke i marrë nga familjarët dhe më pas duke ia dorëzuar gjyqtarit.


Sipas prokurorisë, me heqjen e imunitetit, gjyqtari Hasa është marrë zyrtarisht nën hetim në lidhje me dyshimet se ka kryer veprën penale të "Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë".


Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme anëtarët e KLD-së, përveç heqjes së imunitetit vendosi edhe pezullimin e tij nga detyra e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Elbasan.


Ndërkohë, pak ditë më parë, ka qenë vetë kryeprokurorja Ina Rama, e cila duke iu referuar këtij rasti, ka denoncuar publikisht disa gjyqtarë, të cilët nuk miratuan kërkesat specifike të prokurorisë ndaj kolegëve apo personave të prokurorisë, të dyshuar për afera korruptive.


KLD-ja
Iu heq vërejtje dy gjyqtarëve, rrëzohen dy kërkesa të Nishanit


TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e djeshme, me propozim të ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, mori në shqyrtim katër kërkesa për procedime disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatave të ndryshme. Në përfundim të diskutimit mes anëtarëve të këshillit dhe vetë gjyqtarëve që parashtruan mbrojtjen e tyre, u vendos që vetëm dy prej tyre të "ndëshkohen" me masa disiplinore.


Sipas vendimit të këshillit, në përfundim u vendos me shumicë votash mes anëtarëve të këshillit që gjyqtari Rasim Doda të "ndëshkohet" me masën disiplinore "vërejtje me paralajmërim", ndërsa gjyqtarja Anila Capo vetëm me masën disiplinore "vërejtje". Dy gjyqtarët e tjerë, Meme Rexha dhe Enkeleda Kashuri, sipas vendimit të KLD-së nuk kanë kryer asnjë shkelje që të procedohen me masë disiplinore.


Në këtë mënyrë u rrëzuan pretendimet e ngritura nga ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, për shkelje të mundshme të kryera prej tyre. Sipas burimeve zyrtare nga KLD-ja, mësohet se gjyqtari Doda u "ndëshkua" me masën disiplinore për shkeljet e konstatuara gjatë kohës që ai ishte në krye të Gjykatës së Sarandës.


Po për shkelje procedurale u "ndëshkua" edhe gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Tiranë, znj.Anila Cepo, e cila fitoi betejën ligjore me KLD-në edhe në Gjykatën Kushtetuese vite më parë, që detyroi anëtarët e këshillit të rishqyrtojnë vendimin e tyre për largim nga detyra. Ndërkohë, katër procedime tjera, po me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë u shtynë për tu shqyrtuar në seancat e radhës të mbledhjeve të anëtarëve të KLD-së.


KLD-ja "urdhëron" kontroll në pesë gjykata, për zvarritjet


TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e djeshme të drejtuar nga n/kryetari i këtij i tij, Kreshnik Spahiu, vendosi fillimin e një inspektimi tematik ndaj pesë Gjykatave të Shkallës së Parë, për të kontrolluar dosjet e gjykuara për veprat penale me kriminalitet të lartë dhe për vepra penale të rënda.


"Nevoja për verifikimin e shkaqeve që kanë çuar në tejzgjatje të disa proceseve gjyqësore penale, një pjesë e të cilave mbartin edhe ndjeshmëri në publik dhe media, ka qenë objekt diskutimi në dy mbledhje të njëpasnjëshme të Këshillit, dhe u finalizua me vendimin për këtë inspektim tematik të përbashkët midis dy Inspektorateve të KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë",-thuhet në njoftimin për media të zyrës së shtypit pranë anëtarëve të këshillit.


Sipas këtij burimi, objekti i këtij inspektimit janë çështjet gjyqësore penale gjatë viteve 2007-'08 të sjella në Gjykatat e Rretheve Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.


"Ky kontroll do të kryhet në këto gjykata, për shtatë vepra të rënda penale për të cilat kanë marrë të pandehur dhe gjykuar persona të ndryshëm. Akuzat e gjykuara që do të jenë në inspektism janë: "vrasja me paramendim dhe në rrethana cilësuese"; "trafikimi i narkotikëve"; "shpërdorimi i detyrës", si dhe veprat që lidhen me "korrupsionin pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, apo të funksionarëve të lartë shtetërorë"-thuhet nga burimet zyrtare pranë KLD-së.


Mësohet se ky inspektim do të kryhet në bashkëpunim mes Inspektoratit të KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë që do të zgjasë tre muaj. Kohë kjo, që sipas burimeve, është i mjaftueshëm për të përmbushur qëllimin e këtij inspektimi, duke shtrirë secili fushëveprimin e verifikimit të veprimtarisë gjyqësore në vite të ndryshme kalendarike.


Neni 319/a


Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë
Kërkimi ose marrja drejtpërdrejt ose tërthorazi i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga gjyqtari, prokurori ose funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e funksionin e tij, dënohen me burgim 3- 10 vjet dhe me gjobë nga 800 mijë - 4 milionë lekë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›