Aleanca Kuq e Zi: Athina të distancohet nga dhunuesit e varreve dhe të dorëzojë Dishon
Alenca Kuq e Zi e cilesoi si skandaloze sjelljen e autoriteteve greke, që ndërhyjnë në punët e brendshme të një shteti sovran dhe të pavarur. AK konsideroi si të turpshme edhe sjelljen e Tiranës zyrtare, që heshti përpara kësaj përdhosje të radhës së identitetit dhe dinjitetit kombëtar.
Duke iu drejtuar autoriteteve greke, Aleanca i kërkoi Athinës që të distancohet nga dhunuesit e varreve dhe të dorëzojë Dishon, për të vuajtur në Shqipëri dënimin e dhënë më parë nga Gjykata e Korçës. Naum Disho u dënua më parë gjatë vitit me një vit heqje lirie për dhunimin e varrezave të Boboshticës, me qëllimin e ngritjes së një kryqi për dy ushtarë grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vendimi u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, por ai u largua nga vendi pak ditë përpara se të ekzekutohej dënimi dhe besohet se ai ndodhet në Greqi, nën mbrojtjen e shtetit grek.Deklarata e Alences Kuq e Zi erdhi pas një çështje të ngritur në Parlamentin Grek, ku kryediplomati helen deklaroi ditën e shtunë: Departamenti i shtetit është plotësisht i informuar për zhvillimet në këtë padi. Ne kemi deklaruar tashmë në mënyrë të përsëritur se dënimi i Naum Dishos me një vit burg është një zhvillim i turpshëm për marrëdhëniet e minoritetit grek etnik në shtetin shqiptar, duke prekur, pa dyshim dhe marrëdhëniet e dy vendeve.
