E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleanca KuqeZi proteston bashkë me banorët e Zharrëzit. Spahiu: Do u japim fund koncesioneve korruptive

Share

Aleanca KuqeZi iu bashkua protestave të banorëve të Zharrëzit në Fierit. Banorët së bashku me aktivistët e AK protestuan kundër koncesioneve arbitrare të qeverisë shqiptare.

Vetë kryetari i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu ishte i pranishëm në këtë zonë për të parë nga afër situatën e krijuar nga shpërthimet e kompanisë së huaj, e cila po kërkon për naftë.

Duhet ti japim fund koncesioneve korruptive të miqve të qeverisë shqiptare për të shpëtuar njëherë e përgjithmonë keqpërdorimin e pasurive kombëtare, ka deklaruar lideri i AK, Kreshnik Spahiu, në mesin e mbështetësve të Aleancës KuqeZi dhe banorëve të dëmtuar nga koncesionet e qeverisë.

Aleanca KuqeZi zotohet se me të ardhur në pushtet do të ndalë të gjithë koncesionet që shkatërrojnë, dëmtojnë dhe rrënojnë pasuritë kombëtare, duke i dhënë prioritet investitorëve vendas me qëllim që edhe sektori i koncesioneve të trajtohet me përkujdesje në raport me pasuritë kombëtare. Duhet që pasuritë tona kombëtare ti trajtojmë ashtu sikundër ato e meritojnë. Sot kompanitë e huaja të kontraktuara nga qeveria e korruptuar po gllabërojnë deri në palcë pasurinë nën dhe mbi tokësore duke treguar një oreks gllabërues, ndërkohë që e kundërta do të ndodhtë nëse investitori do të ishte vendas, deklaroi kreu i lëvizjes politike Aleanca KuqeZi Kreshnik Spahiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›