A ka interesa të pushtetit pas masakrës së Parkut Kombëtar?
Kreu i grupit të këshilltarëve të majtë në Bashkinë e Tiranës, Aldrin Dalipi, tha se ata ende nuk kanë marrë një përgjigje nga kryebashkiaku Basha për masakrën në Parkun Kombëtar. Dalipi tha se Basha duhet të sqarojë nëse aty do ndërtohen pallate apo jo.
Sikurse ju e dini përpara dy ditësh me cilësinë e anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës i kemi kërkuar Kryetari të Bashkisë zotit Lulzim Basha të bëjë transparencë në lidhje me veprimet që po kryen në Parkun Kombëtar të Kryeqytetit. Ende nuk kemi marrë një përgjigje nga kryetari i bashkisë përveç njoftimeve për shtyp që nuk thonë asgjë dhe nuk bëjnë transparencë përballë qytetarëve. E kemi shprehur që ka një shqetësim shumë të madh përveçse të qytetarëve, edhe të organizatave ambientaliste, edhe të shoqërisë civile në lidhje me këtë veprim që po kryhet në Parkun Kombëtar të Tiranës, tha Dalipi.
Natyrisht, ne jemi të shqetësuar sepse Bashkia e Tiranës vazhdon të heshtë. Në këtë çështje nuk ka asnjë konflikt politik, por vetëm një interes qytetar dhe interesi qytetar është që të njihen me çdo projekt në territorin ku ata banojnë dhe territorin ku ata jetojnë. Nuk kemi ende nga Bashkia e Tiranës një përgjigje për këtë gjë. Ne e dimë që në një Park Kombëtar është shumë e vështirë të ndërhyhet pa pasur një vendimmarrje të rëndësishme të cilat i mbrojnë këto parqe pa pasur një vendimmarrje dhe nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Ende nuk kemi asnjë përgjigje në lidhje me këtë çështje. Ne gjithashtu jemi shumë të shqetësuar sepse nuk dimë ende se çfarë do të kryhet e çfarë do të ndodhë në territorin e Parkut Kombëtar që tashmë është shkatërruar. Thuhet se do të bëhet një rrugë, nuk e kemi projektin e rrugës. Por, ne nuk dimë dhe më tej se çfarë do të ndodhë aty. A do të ngrihen pallate? A do të ketë interesa të dyshimta pas tyre? Apo do të ketë veprime të cilat janë në interes të qytetarëve? Për këtë arsye ne jemi të shqetësuar dhe mbështesim sot zërin e qytetarëve dhe zërin e organizatave të shoqërisë civile dhe ambientaliste të cilat me forcë po vazhdojnë të kërkojnë një përgjigje por në këmbim marrin vetëm heshtje dhe akuza politike, vijoi Dalipi.
Prej kohësh opinioni publik po kërkon të mësojë se përse po bëhet ajo masakër, e cila nuk justifikohet vetëm me faktin se do bëhet një rrugë, pasi hapësira e masakruar është më e madhe.
Ne nuk mund të lejojmë në qytetin ku jetojmë që për interesa të grupeve të caktuara të vazhdojnë projekte të cilat nuk kanë lidhje apo nuk u shërbejnë qytetarëve të Tiranës, po vetëm interesave të këtyre grupeve të cilat ne i konsiderojmë të errëta për sa kohë nuk ka transparencë. Ky është shqetësimi ynë dhe ne i kërkojmë në mënyrë urgjente dhe një herë kryetarit të bashkisë të dalë përpara qytetarëve sikurse nuk përton për të bërë publike maketet e tij të famshme, të tregojë projektin përkatës. Të tregojë çfarë do të ndodhë në territorin që tashmë është shkatërruar të Parkut Kombëtar të Kryeqytetit. Qytetarët presin përgjigje nga zoti Basha, tha Dalipi.