E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleati i mundshem nje kusht antikorrupsion

Qëndrimi

Lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka mbështetur të enjten nënkryetaren e tij, Mimoza Kusarin-Lila, si dhe ka përkrahur qëndrimin se partia e tyre nuk do të pranojë të jetë pjesë e qeverisë, nëse ministrat, partnerë të koalicionit, janë persona që hetohen nga drejtësia ose që kanë të kaluar të “papastër”. 
Gjatë një prononcimi për “Zërin”, ai ka thënë se qëndrimi i Kusarit është qëndrim i AKR-së, i cili sipas tij mbështetet edhe nga pjesa tjetër e partisë.
“Zonja Kusari, vetëm se e ka mbrojtur një qëndrim të partisë. Ajo ka mbështetur qëndrimin e partisë që kemi pasur prej fillimit se nëse hyjmë në qeveri me dikë, do të hyjmë me njerëz që i kanë duart e pastra. Edhe qëndrimi i saj është jashtëzakonisht i qartë dhe ai mbështetet nga unë dhe nga e gjithë Kryesia”, ka thënë Pacolli.
I pari i AKR-së ka thënë se Kusari nuk e ka pasur për qëllim ta përmendë emrin e ministrit të Transporteve, Fatmir Limaj, por kjo, sipas tij, është bërë pas provokimit të gazetarit.
“Përmendja e emrit të zotit Limaj, nga zonja Kusari, është bërë pasi është provokuar nga gazetari. Ka qenë gazetari i KTV-së, ai që ka përmendur emrin i pari. Për keqkuptimet ne i kërkojmë falje zotit Limaj”, është shprehur ai, duke përkujtuar se edhe fjalori i Limajt ishte i vrazhdë në raport me Kusarin.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›