Aleppo bombardohet, Damasku “rimerret”

Luftime të ashpra kanë vazhduar në Aleppo të Sirisë, ku forcat qeveritare kanë përdorur artilerinë dhe aeroplanët për të bombarduar pozicionet rebele.
Një zyrtar i lartë i sigurisë citohet të ketë thënë se “ajo që po ndodh tani është vetëm aperitiv, ndërsa kryesorja do të ndodhë më vonë”.
Në Damask, forcat e presidentit Bashar al-Assad kanë pohuar se kanë larguar kryengritësit nga bastioni i tyre i fundit në kryeqytet.
Në anën tjetër, ende nuk dihet gjë për fatin e 48 pelegrinëve iranianë, të rrëmbyer të shtunën pranë një vendi të shenjtë shiit, në periferi të Damaskut.
Diplomatët iranianë dhe televizioni shtetëror i Sirisë kanë fajësuar “grupet e armatosura” për kidnapimin.
Kombet e Bashkuara thonë se 19.000 persona kanë humbur jetën, që nga shpërthimi i trazirave në Siri, 17 muaj më parë.