E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alergjia nga tullumbacet, 5 fëmijë dërgohen në urgjencë

FIER - Pesë fëmijë të tre familjeve nga qyteti i Fierit kanë përfunduar të premten në urgjencat e ambulancave të lagjeve, pasi kanë pësuar alergji nga tullumbacet. Lajmi bëhet me dije nga prindërit e fëmijëve, të cilët pohojnë se vogëlushët janë mbushur me flluska të vogla me ujë në pjesën më të madhe të trupit. Mësohet se dy nga fëmijët që patën probleme shëndetësore i kanë prindërit mjekë. Këta të fundit deklaruan për "Gazeta Shqiptare" se shkaku i alergjisë tek 5 të miturit (të afërm njëri me tjetrin) ishte pluhuri i bardhë tip pudre që u hidhet atyre sipër që të mos ngjiten.

NGJARJA
Pasditen e së premtes, tre motra, banuese në lagje të ndryshme të qytetit të Fierit së bashku me fëmijët e tyre kanë shkuar në një lokal ëmbëlsirash. Teksa kanë dalë për të shkuar në banesat e tyre, në një dyqan pranë bulevardit kryesor, fëmijët kanë parë tullumbace dhe u kanë kërkuar mamave të tyre që t'ua blejnë. Këta të fundit i kanë blerë tullumbacet, por vetëm 30 minuta më pas janë shqetësuar pa masë nga problemet shëndetësore të vogëlushëve të tyre. Mësohet se, sa kanë mbërritur në banesat e tyre 5 fëmijët kanë nisur të fryjnë tullumbacet. të shqetësuara, nënat e fëmijëve i kanë telefonuar njëra-tjetrës dhe kanë shtangur nga habia, kur kanë mësuar faktin se vogëlushët kishin të njëjtat shqetësime shëndetësore.

"Kishte kaluar vetëm gjysmë ore, kur dy vajzat filluan të ankoheshin se kishin kruajtje në trup. Fillimisht atyre u dolën puçrra ose më saktë flluska të vogla me ujë në bark. Pastaj, flluskat u dolën në krahë dhe në shpinë. E shqetësuar mora dy motrat në telefon. U habita, kur më thanë se dhe fëmijët e tyre kishin të njëjtin problem", - pohoi njëra nga nënat e fëmijëve.

Mjekët dyshojnë se fëmijët pësuan alergji nga tullumbacet, të cilave u hidhet një pluhur i bardhë, tip pudre. Ndoshta, pudra e hedhur tek tullumbacet mund të ketë pasur ndonjë lëndë apo mund të ketë qenë e skaduar gjë që ka shkaktuar edhe reaksionin tek pesë fëmijët.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›