E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Rama dhe Harasani “pajtohen” në internet

TIRANE - Dy kundërshtarët brenda Partisë Socialiste, kreu i partisë, Edi Rama dhe deputeti Andis Harasani kanë rënë dakord me njëri-tjetrin, pas kaq kohësh. Shkëmbimi virtual i mesazheve, në atë që tashmë quhet media sociale, Facebook dhe Tuitter i ka sjellë në një mendje dy socialistët për sa i përket shpërblimit të pensionistëve për fundvitin.

“Po dëgjoja ministrin Bode, i cili theksoi se nuk ka fonde buxheti i shtetit për shpërblim për pensionistët për Vit të Ri. Ja t’i japim një ide të gjithë bashkë. Të heqë fondin prej 5 milionë dollarësh për të prishur piramidën dhe me këtë fond të paguajë nga 5,000 lekë 100,000 pensionistë”, - ka shkruar dje, Harasani. Dhe vetëm pak më pas, i është përgjigjur në Tuitter kreu socialist Rama. “Jam dakord me Andisin: Me 5 milionë dollarë u japim 100 mijë pensionistëve 5 mijë lekë për Vitin e Ri dhe nuk shkatërrojmë piramidën!”,- është shprehur Rama.

Duket se për herë të parë, pas një periudhe të gjatë kohe mes debatesh dhe marrëdhëniesh të ftohta, ky ka qenë një ndryshim mes Ramës e Harasanit. Më tej, Harasani në bisedë me miqtë e tij ka deklaruar se i ka propozuar PS-së e më konkretisht drejtuesve të saj, që për Vitin e Ri deputetët dhe ministrat të heqin dorë nga shpërblimet e tyre, për t’ia dhënë ato komuniteteve më në nevojë, por ky tashmë i përket një vendimi të grupit parlamentar të PS-së. Ndërsa nga ana tjetër, Rama ka kritikuar dje edhe vizitën e Berishës dhe deklaratat që ai ka bërë në Francë. “Shaluar mbi kalin e rrenave Saliu shpon veshët e botës, duke luftuar me opozitën e vendit të tij në sytë e dinjitarëve të huaj. Ç’turp!”.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›