Alesandro Ruxhera në “Artes”: Kultura si vetëdije, jo si krenari

Si e zbaton strategjinë kulturore në Shqipëri një vend fqinj si Italia?
Pas një viti e ca aktivitet në krye të Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Alesandro Ruxhera (o. Alessandro Ruggera) ndan “metodën” e tij për takimin mes kulturave.
Në emisionin “Artes” në RTSH përballë gazetares Elsa Demo, ai analizoi funksionin sipas një koncepti të vjetruar për strukturat kulturore që vjen nga shekulli i 19-të dhe 20-të dhe i qëndron idesë se, vetëm duke u takuar dhe u njohur në vend, palët mund të pretendojnë njohje të thellë mes tyre. Kjo shmangte praninë agresive dhe ekspansioniste të njërës kulturë mbi tjetrën dhe të mitit “Made in Italy”.
Intervista e plotë në “Artes” nga Elsa Demo
Elsa Demo: Mirë se erdhët! Z. Ruxhera apo Alesandro, të flasim me ti apo me ju?
Alesandro Ruxhera: Falemnderit, si të doni. Alesandro është në rregull për mua.
E.D: Po thosha që kur lexova kurrikulën e jetës suaj dhe pashë që formimi juaj ishte letrar, shpresoja shumë që të ndodhte kjo që po ndodh mes dy kulturave tona. Instituti Italian i Kulturës nën drejtimin tuaj ka tjetër qasje dhe dinamikë. Doja ta fillonim nga kjo: cila ishte gjëja e parë që bëtë, kur u emëruat drejtor i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë?
A.R: Gjëja e parë, që unë e mendoj si gjënë e duhur që duhet të bëjë ai i cili vjen në një vend, është programimi: të fillojë të kërkojë, të lexojë, të studiojë dhe të kuptojë vendin. Le të flasim edhe për vendet, sepse edhe kjo, sipas meje, mund të jetë me interes: si zgjidhen dhe çfarë ndodh kur emërohesh në një vend apo në një tjetër. Dua të them se, unë kam dashur të vij në Shqipëri, në një vend që, edhe pse nuk kam qenë më parë, më ka magjepsur. Mund të flasim më vonë për arsyet pse, shpesh kulturore, të cilat më pas duhet të ballafaqohen me realitetin.
Kur mbërrin, e para gjë që bën është krijimi i një agjende kontaktesh, për t’u takuar me njerëz që punojnë në botën kulturore, kolegë, drejtues teatrosh, intelektualë, shkrimtarë, të një spektri sa më të gjerë të mundshëm. Gjithë javët e para shkojnë për këtë punë, për këtë fazë dëgjimore ku kërkon të kuptosh, që për mua është thelbësore. Kur zbret në një vend, dhe kur unë erdha këtu – në një kuptim Shqipëria nuk është përjashtim – vjen me atë pak përvojë që e krijon nga leximet, nga ndonjë mik apo mikeshë që vjen nga ai vend, nga marrëdhëniet shqiptare.
E.D: Për çfarë lloj leximesh është fjala?
A.R: Po pak klasikë, ndonjë vepër historike si “Shqiptarët” e Schmitt-it, pastaj natyrisht Kadareja.
E.D: Montaneli?
A.R: Montanelin do ta lexoja pasi të mbërrija. Ai meriton një diskutim të kujdesshëm, sepse vështrimi i tij për Shqipërinë është fort i veçantë.
Kur i ballafaqon idetë dhe paragjykimet – në kuptimin e mirë të fjalës – pra atë që përfytyron se duhet bërë dhe mund të bëhet, kupton se 80% e ideve janë të panevojshme, por mund të shpëtohen 20% që, në fakt, janë projektet që do të realizohen dhe pastaj mjaft ide lindin teksa dëgjon, në takim.
E.D: Të çfarë natyre ishin paragjykimet tuaja?
A.R: Po siç ndodh gjithmonë, kur ke një përshtypje fillestare për një vend. Paragjykimi im ishte edhe pretekst për kuriozitetin tim. Motivi pse doja të vija në Shqipëri, e kishte origjinën tek një gjë fare e thjeshtë, tek ideja që ky është një vend me të cilin Italia ka një marrëdhënie mjaft të ngushtë nga pikëpamja historike, e afërsisë gjeografike, e pranisë jashtëzakonisht të konsiderueshme të një komuniteti shqiptar në Itali, e një vendi ku gjuha jonë flitet, apo, gjithsesi, është folur për një kohë të gjatë.
E.D: Edhe pse sot nuk është më gjuhë e parë.
A.R: Sigurisht, jo, dhe është e normale që ky tipar ka ndryshuar, sepse vendosja e Shqipërisë në botë ndryshon, komunikimi me jashtë ndryshon po ashtu. Paragjykimi im pozitiv bazohej edhe tek ata shqiptarë që kisha njohur në Itali, miq apo simpati që më kishin shtyrë të mendoj se Shqipëria është vend ku mund të jetohet mirë. Pastaj, është edhe çështje ekuilibri që duhet vendosur në jetë. Unë vija pas pesë vitesh përvojë, fillimisht në Etiopi, e më pas në Kanada, dy vende tejet të ndryshme. E çmoj mjedisin kanadez, por edhe dëshiroja që të jetoja në një botë mesdhetare, me tjetër ngrohtësi dhe lehtësi marrëdhëniesh, ku gjen më shumë improvizim e mbase më pak organizim, pra një botë më afër nesh, Italisë.
E.D: Kur thashë më parë se Instituti Italian i Kulturës ka treguar një tjetër lloj qasjeje ndaj kulturës, kulturës sonë, po edhe ndaj pranisë së kulturës italiane në Shqipëri, kisha parasysh jo një prani agresive, ekspansive, çka e kemi ndeshur më parë në tranzicionin shqiptar. Kisha parasysh edhe mitin “Made in Italy”. Keni një plan të ndryshëm nga ky, nëse mund të flitet për një taktikë?
A.R: Filozofi im i preferuar, për më tepër, një autor që e kam lexuar gjithnjë me shumë dëshirë, është Paul Feyerabend, filozof i shkencës, i cili ka shkruar “Kundër metodës”, një ese me mjaft vlerë. Aty nënvizon se dija, rruga e dijes, më së shumti krijohet në mënyrë të rastësishme, aksidentale, e shenjuar nga faktorë të paparashikueshëm, dhe jo nga strukturimi, siç e mendon filozofia e shkencës, e cila e trajton dijen si program të strukturuar dhe formal. E gjitha kjo për të thënë që, jo, nuk kam një metodë.
Natyrisht që, një strategji e kam, por mendoj që në themel të punës, siç e thashë më parë, të jetë diskutimi, takimi dhe është e qartë që edhe shkëmbimi. Kur krijon një marrëdhënie, që është marrëdhënie mes dy njerëzve, apo mes më shumë njerëzve, nuk e di asnjëherë se çfarë do të ndodhë. Kështu që një strategji e kam, sepse dua të përforcoj dialogun dhe shkëmbimin kulturor. Por, mbi të gjitha, mënyra me të cilën aspiroj ta prezantoj punën e Institutit dhe kulturën italiane, ka për qëllim që ta bëjë atë të dëshiruar, sikurse edhe unë dua ta njoh më mirë kulturën shqiptare, sepse e ndjej nevojën e këtij integrimi, sepse jam këtu dhe sepse është një fakt që dëshiroj ta mirëpres.
Në këtë kuptim, mund të jetë me interes që një shqiptar t’i afrohet kulturës italiane në një aspekt më global. Përndryshe do të ishte qesharake të mendosh që, tani po vij unë dhe po sjell gjëra të bukura, me interes. Po, disi, diçka, le të themi, por në të vërtetë përpiqem të hedh në tavolinë një ofertë e cila lind këtu. Nuk sjell gjëra me vete, janë ide që ngjizen këtu, nga ky shkëmbim dhe kjo dëshirë e publikut shqiptar për të mirëpritur e për të parë. Në disa raste këtë dëshirë e gjen, në raste të tjera jo. Mund të gaboj plotësisht me qëllimet e mia, dhe të përfytyroj vepra që më pas nuk bëhen realitet. Ndodh. Duhet të jesh i hapur edhe për dështimin, në kuptimin që, propozoj ide, të cilat nuk takohen me interesin e publikut.
Them që këtu ka një çështje problematike, që ka të bëjë me mënyrën se si janë konceptuar strukturat, jo vetëm ato italiane, por në përgjithësi institutet e kulturave kombëtare në botë, dhe puna që bëjnë përfaqësitë diplomatike, shihet nga një perspektivë e shekullit të nëntëmbëdhjetë-njëzetë, kur raportet kulturore, bota kulturore, ishin shumë më pak të ndërthurura e shumë më pak globale, edhe pse, në fakt, kështu ka qenë gjithnjë, historikisht. Prej këtej edhe ideja që kemi një zyrë diplomatike për të prezantuar më të mirën e Italisë, “Made in Italy”. Sigurisht, mund t’i bëjmë, por sot, e gjitha kjo mund të bëhet edhe pa praninë tonë. Atëherë, cili është roli i institutit kulturor? Sipas meje, është pikërisht ky: forcimi i lidhjeve, krijimi i marrëdhënieve, duke u treguar të hapur dhe të aftë për të marrë e për të dhënë. Prandaj ka rëndësi kjo nxitje e dëshirës, e kureshtjes dhe e vështrimit në thellësi. Duhet të këqyrim njëri-tjetrin.
E.D: Për të sjellë një shembull, në këtë kontekst, “Curating with Care” i Adela Demetjës ka qenë projekt i konceptuar mirë.
A.R: Po. Jam i lumtur për atë nismë.
E.D: Që përfshinte të rinjtë, në mënyrë të veçantë.
A.R: Edhe ky projekt ka lindur nga diskutimet. E takova Adelën, pasi pashë një ekspozitë që kishte kuruar dhe e pyeta: ç’punë mund të bëjmë që të ketë një efekt jetëgjatë, përtej një ngjarjeje të vetme. Ajo propozoi idenë e këtij programi edukues, formues dhe e zhvilluam, duke përfshirë edhe një qendër italiane kuratoriale “Spacio Taverna”, me Ludoviko Pratezin dhe Marko Basanin, dy kuratorë me peshë. Kështu lindi ky program.
E.D: Për të vazhduar me teatrin, operën që është një destinacion…
A.R:… i natyrshëm, do thosha. Në opera po bëhet një punë e madhe, më duket mua, me ndërtimin dhe strukturimin e një programi dhe oferte të gjerë, për të cilën më është dukur e udhës të vihem në dispozicion.
E.D: Edhe bashkëpunimi i Institutit me Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, pati rezultat një projekt shumë të mirë. Por doja të ndalesha pak tek “Takimi me shkrimtarët”. Ekziston një klan shkrimtarësh që Instituti i fton gjithnjë, po flas në vite. Jeni i vëmendshëm ju ndaj grupeve të privilegjuara të intelektualëve dhe artistëve në Shqipëri?
A.R: Po edhe këto ftesa e takime vijnë shpesh prej botuesve, kur botojnë një libër që është gati për t’u hedhur në qarkullim…
E.D: Dakord kur lidhen me axhendën e aktualitetit…
A.R:… e promovimit dhe për mua është në rregull që të mbështeten. Ka shkrimtarë të një përmase dhe rëndësie që… po… Në këtë pikë, do të thosha se rëndësi ka edhe shumëllojshmëria. Kuptohet që duhet shumë punë për të dalë nga një dimension i ngushtë, me pak ngjarje. Nga ana tjetër, bollëku mund të jetë i dëmshëm, sepse është e vështirë të kesh publik të rregullt.
E.D: Shumë i ngjeshur viti i shkuar.
A.R: Po, ishte intensiv, por kjo do të thotë të ofrosh larmi edhe në drejtim të shkrimtarëve e të bashkëpunëtorëve. Nga kjo pikëpamje, nuk kam paragjykime. Natyrisht që krijohen lidhje më të thjeshtuara, më imediate, ku hyjnë në lojë shumë faktorë. Tek e fundit jemi njerëz, kemi marrëdhënie personale që ndonjëherë janë më të këndshme, më të kënaqshme, e gjitha kjo ndikon. Për mua është parësore që Instituti të shihet si vend i hapur, bashkëpunimi është aty, në dispozicion për cilindo. Por mbi të gjitha është komponenti i cilësisë. Mund të shkojmë nga ngjarjet më pop, më popullore po të duam, më për masën, për një publik më të zakonshëm, tek ato më të sofistikuarat ku vijnë ndoshta pesë veta. Në të dyja rastet ka një kuptim. Kryesore është që të ruhet cilësia, kujdesem për këtë, përpiqem… nuk e di. Le të gjykojë publiku, ai që vjen në Institut.
Dua të them edhe diçka. Ekipi që kam gjetur në Institut, është mjaft mbështetës, sepse vetëm kështu mund të funksionojë mirë institucioni. Pra, ka individë vendas, shqiptarë që punojnë me mua dhe që më kanë ndihmuar jashtëzakonisht. I vetëm, një drejtues nuk bën dot asgjë, qoftë edhe për faktin që unë kam nevojë të m’i shpjegojnë gjërat, kontekstin shqiptar, sepse shumë detaje mund të më rrëshqasin dhe ka mjaft punë për të bërë, raporte, takime…
E.D: Te kjo cilësi që thoni, përmendim prezantimin e Pasolinit, projeksioni i një filmi për të ka qenë aktiviteti juaj i parë.
A.R: Një nga punët e fillimit, po. Për Pasolinin kemi ftuar një muzikant, i cili ka bërë sonorizimin e një materiali të pabotuar të shkrimtarit, një vepër e muzikës elektronike, e ngrohtë, e veçantë. Kemi projektuar në Universitet e më pas në Institut, filmin që rindërton portretin e Pasolinit përmes një studenteje që zhvillon për të temën e diplomës. Është figurë me mjaft interes Pasolini, edhe këtë vit do të bëjmë diçka tjetër.
E.D: Dhe Primo Levi që është gjithnjë në axhendën e Institutit.
A.R: Më 25 janar do të shfaqet në Teatrin Metropol, me të cilin bashkëpunojmë shumë mirë…
E.D: “Nëse ky është Levi?”.
A.R: Po, është spektakël i një kompanie italiane “Fanny & Alexander” që ka krijuar një dialog imagjinar me një aktor në skenë, i cili përfaqëson Levin, e që do të presë dhe do t’iu përgjigjet pyetjeve të publikut, pyetje-përgjigje të cilat bazohen tek shkrimet e Levit dhe tek ato që ka deklaruar.
E.D: Pas një viti e gjysmë në Shqipëri, keni një përkufizim për kulturën shqiptare, nuk do thosha për atë klasike, po për kulturën e gjallë, të sotme.
A.R: Një frazë ikonike të tipit “kultura shqiptare është e tillë…”
E.D: Jo, nuk do doja këtë.
A.R: Nuk e kam një përkufizim të tillë, nuk e kam as për kulturën italiane.
E.D: Një ndjesi.
A.R: Sigurisht, kam akoma mjaft kureshtje. Në fakt, është e vërtetë kjo që mund të thuhet për shumë kultura, në forma të ndryshme, por kultura shqiptare ka një bazë të shtresuar mjaft të ndërlikuar. Është një vend i vogël në terma numerikë, të sipërfaqes, me një histori ku janë ndërthurur substanca të ndryshme, të pangjashme dhe të kombinuara në mënyrë të pabarabartë, të cilat janë tregues i pasurisë dhe i kompleksitetit. Pastaj është historia e periudhës komuniste, tragjike, që vetëm mund ta marrë me mend, por ka qenë edhe një periudhë kur vendi ia ka dalë të mbijetojë dhe të ruajë thelbin shpirtëror në një gjendje asfiksie, mungese të oksigjenit. Sprovë e jashtëzakonshme. E më pas, pasoi kriza e viteve nëntëdhjetë, eksodi kolosal që ndodhi, i cili po i rikthen Shqipërisë faktorët e rimëkëmbjes dhe të pasurimit.
Nuk është rastësi që ka kaq shumë shkrimtarë. Shkruhet dhe botohet me bollëk, ose mua më duket kështu, ndoshta ngaqë jam midis njerëzve që shkruajnë. Duket domosdoshmëria për të treguar. Është një mënyrë për të reflektuar. Kujtoj librin e psikanalistit jungian amerikan James Hillman, “Histori që shërojnë” që mbahet tek ideja, për të cilën ka shkruar shpesh edhe Agambeni, se rrëfimi, tregimi i historive është një formë terapie dhe mjekimi. Në kulturën e sotme shqiptare shihen plagët e së shkuarës, ndihet dëshira dhe energjia e atyre që punojnë në fushën e kulturës, për të mjekuar këto lloj plagësh dhe për të parë drejt së ardhmes. Nga kjo perspektivë, është një vend interesant, një vend që megjithatë vështron drejt së ardhmes.
E.D: (qesh)
A.R: E thënë kështu, e di që tingëllon banale. Por doja të theksoja se, ky qëndrim dallon nga ai i Italisë. Ekziston një dëshirë, fuqia e dëshirës që është një motor për këtë vend, pastaj…
E.D: Çfarë është sot kultura italiane? Dëgjoja një intervistë të ministrit italian për Kulturën Gennaro Sangiuliano që deklaronte se është i nevojshëm “krijimi i një imagjinate italiane pozitive në botë”, e se “duhet të jemi krenarë për aktorët dhe regjisorët italianë të Hollivudit”. Doja të dija mendimin tuaj për identitetin e sotëm të kulturës italiane.
A.R: Mendoj se për të gjitha kulturat ndërkombëtare është e vështirë që t’ua veçosh tiparet. Është sipërmarrje jo e lehtë të vësh në dukje tiparin e veçantë dallues të kulturës italiane. Nëse analizoj rrugëtimin tim të rritjes kulturore, mënyrën si e kam përjetuar unë përvetësimin e historisë kulturore italiane dhe po flasim për historinë e kulturës italiane, parimi kyç është ai i humanizmit, aftësia për ta rikthyer gjithmonë kulturën në esencën e marrëdhënieve njerëzore, në thelbin njerëzor. Pastaj, gjatë historisë, kjo substancë është mohuar në momentet e kolonializmit e të fashizmit. Megjithatë, në bazë mendoj se është ky ai element i kulturës italiane për të cilin mund të jemi krenar, pavarësisht se nuk i përket vetëm kulturës sonë, por është tipar i kulturës në tërësi. Në një moment të caktuar të historisë, në Itali, edhe për shkak të rrethanave të rastësishme, ndodhi dhe u rrit një lëvizje që ishte ajo e humanizmit dhe më pas e Rilindjes, e cila la gjurmë në kulturën evropiane. Ai tipar dallues, zotësia për ta rifituar këtë pasuri, zgjuarsia për ta përcjellë këtë entitet njerëzor dhe për ta ringjallur këtë besim te njeriu dhe arsyeja gjatë iluminizmit, është pikërisht ky përbërësi i kulturës italiane që do të ishte e drejtë ta bashkëndaja si koncept gjenuin, që nuk është element i kulturës italiane vetëm, po të cilin Italia e ndan së pari me Evropën e më pas me botën mbarë.
Gjithnjë është e rrezikshme të bësh nga këto lloj skematizimesh, sepse humbasin mjaft dukuri të veçanta. Ka momente, ka shkrimtarë, regjisorë, mendimtarë, filozofë, ka bollëk larmishmërie në kulturën italiane bashkëkohore, që nuk mund ta reduktoj. Do të ishte mëkat.
E.D: Do të vazhdojë projekti i kinemasë së re italiane?
A.R: Po, mendojmë nga fundi i marsit ose i prillit. Për të pasur një panoramë të kinemasë bashkëkohore italiane, do të sjellim filma të viteve të fundit. Mjedisi dhe oferta kinematografike në Tiranë është e kufizuar, prandaj është i dobishëm si kontribut dhe nëse do të jemi në gjendje të ftojmë regjisorë, aktorë, njerëz që punojnë në prodhimin filmik, do ja dalim të rikthejmë dhe të tregojmë rëndësinë e kinematografisë si art që na bashkon dhe jo si art për t’u parë vetëm në shtëpi, në transmetim… Doja të thosha dhe që në Romë ka një festival, Balkan Film Festival që lindi nga Albanian Film Festival. Po mendojmë të krijojmë në Tiranë një format që të përfshijë si pjesën italiane, edhe atë shqiptare e ballkanike.
Diçka tjetër që e kemi bërë dhe na ka gëzuar, pavarësisht se i mundimshëm, ishte festivali i muzikës vokale “Cantare la voce”, nën drejtimin artistik të pianistit Robert Bisha në Teatrin e Metropolit. Edhe ky festival u mendua për të kërkuar pikat e dialogut, pikat e takimit. Do të ishte bukur nëse do të përfshiheshin më shumë aktorë, jo vetëm nga Shqipëria dhe Italia.
E.D: Ka diçka që më zemëron: emërtimi me të mëdha “Instituti Italian i Kulturës” mbi Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Natyrisht ky është problemi ynë, jo i juaji, që është tregues për kushtet e mjerueshme ku ndodhet sot ky institucion kombëtar.
A.R: Ka projekte për ta përmirësuar.
E.D: Ka njëzet vjet që e thonë këtë.
A.R: Nuk e di.
E.D: Por e kuptoj pozicionin tuaj.
A.R: Jo, por personalisht kam raporte dhe bashkëpunime shumë të mira me Bibliotekën Kombëtare. Po punojmë për një projekt, një ekspozitë që më gëzon shumë, sepse do të jetë diçka me rëndësi, për të rivlerësuar edhe trashëgiminë librore të Bibliotekës.
E.D: Keni udhëtuar nëpër Shqipëri?
A.R: Po, kur kam pasur mundësi, si për punë, edhe për kënaqësi.
E.D: Për kënaqësi, më përmendni një monument, një kishë, apo një qendër rrënojash arkeologjike.
A.R: Qytetet ku kam qenë janë shumë. Do përmendja Gjirokastrën, Shkodrën, bukurinë e Beratit, por ka diçka që më emocionon gjithnjë, qyshse e kam parë për herë të parë dhe që nuk është ndonjë monument që bie në sy, për vendndodhjen që ka. Kam qenë afër Përmetit, në një udhëtim me tim bir, kur shkuam në kishën e Leuzës. Ndoshta ngaqë nuk e dija, ngaqë ishte diçka e re për mua, ai monument më ka tronditur, edhe për historinë e tij, me varrezën rreth e qark, me afresket e mrekullueshëm dhe kaq të gjallë, me një frymë popullore, me një energji religjioze që flet akoma fuqishëm. Ka qenë e jashtëzakonshme.
Pastaj kuptohet, qendrat e mëdha arkeologjike Butrinti, Apolonia, Antigonea, si një nga vendet e para që kam vizituar për të takuar arkeologët shqiptarë dhe italianë që po punonin atje. Shumë emocionuese. Pastaj është edhe lidhja personale që kam me periudha dhe elemente të caktuara historike. Për shembull, të shohësh rrënojat e një kishe të vogël bizantine, nga një pikë ku duken dy lumenj që afrohen, e të mendosh kalimin, çfarë ka ndodhur gjatë historisë, dhe me këtë kishë të vogël që tashmë është rrënojë. Janë rrënoja që të tregojnë imazhet e jetës së murgjve, besimtarëve që kanë jetuar atje…
E.D: Duhet t’i shkruash këto…
A.R: (qesh) Shqipëria është plot me këto. Janë thesare të fshehura, në fakt jo të fshehura, por ekziston rreziku, i njëjti rrezik si në Itali, që trashëgimia të trajtohet si tërheqje turistike. Trashëgimia është pasuri e një identiteti kombëtar. Turistët janë të mirëseardhur, këto janë objekte kaq të bukura, por vëmendja e parë që duhet t’i kushtohet trashëgimisë, është funksioni i saj për të ndërtuar lidhjen e identitetit kombëtar me historinë e vet, me qëllim që fëmijët të jenë të vetëdijshëm për pasurinë dhe trashëgiminë, ky është thelbi për mua, që t’ua shtosh atyre përkushtimin. Nuk është puna të jesh krenar pa sens mase. Përse duhet të jem unë krenar për kulturën italiane? Nuk kam asnjë meritë për atë që më është dhënë. Kam lindur rastësisht në Itali, jam i lumtur që kam mundësi ta prek këtë trashëgimi dhe ta transmetoj atë.
E.D: Falemnderit për çfarë keni bërë gjatë këtij viti, për seriozitetin dhe përgjegjësinë që keni treguar dhe për çfarë do të bëni në tre vitet e ardhshme.
A.R: Falemnderit ju!
Gazetare: Elsa Demo
/rtsh.al/