E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alfred Çako: Bankat tona të ulin riskun e kredive të këqija

Intervista, flet drejtuesi i shoqërisë që merret me kreditë e këqija

“Bankat duhet ta ulin riskun që u vjen nga kredia e keqe. Ato lipset të punojnë me institucione financiare private të faktoringut dhe qeveria lipset të largojë mafiozët përmbarues të cilët lidhen shpeshherë me palën debitore duke ulur kështu eficencën e ekzekutimeve të detyruara mbi kolateralet për të rritur besimin e funksionimit të hallkave të shtetit të së drejtës”,- Paralajmërimi është i Alfed Çakos, ish-drejtues në Agjencinë e Trajtimit të Kredive, aktualisht drejtues i të parës shoqëri faktoringu në vend, i cili analizon krizën financiare në botë dhe pasojat që mund t’i vijnë Shqipërisë.

Z.Çako cilat janë shkaqet e krizës së përbotshme financiare?

Dihet se fillimisht kriza botërore filloi në sistemin financiar amerikan dhe kjo krizë ishte e lidhur më dukshëm me krizën e sistemit të ndërtimeve në USA, ku 1 në 8 punonjës është i lidhur me këtë treg sipas disa hallkave. Gjithashtu, rënia e ekonomisë amerikane në tërësi solli mosshlyerjen e kësteve të kredive prej huamarrësve, çka shkaktoi një paaftësi të veprimeve të këtyre bankave. Dihet se aktiviteti kryesor i bankave është të blejnë dhe të shesin para. Ndërsa bankat kreditonin kryesisht kreditë me mortgage, shtëpitë e banimit të një mase të madhe huamarrësish dhe këta humbën dora-dorës aftësinë shlyerse, bankat nuk iu përgjigjeshin dot detyrimeve ndaj pasiveve dhe ranë në kolaps. Në këtë kohë, ndërhyri Qeveria amerikane e cila “bleu përkohësisht borxhet e këqija” të klientëve me paaftësi paguese të detyrimeve, duke e rindezur edhe njëherë motorin e bankave me afro 700 miliardë dollarë të kaluar (pas një dështimi në Dhomë ditën e hënë) këtë fundjavë në fillim në Senat në një raport 74-25 dhe më pas në Dhomën e Deputetëve. Pra në një farë mënyre Qeveria Amerikane kreu factoring. Bashkë me këtë u kalua dhe një ndryshim në shumën e ligjit mbi Depozitat Federale të Sigurimeve me 2,5 herë më shumë kontribute. Këto veprime e hodhën barrën mbi shtresën e mesme dhe 20 milionë të punësuar pritet të paguajnë 8 bilionë $. Me gjuhën amerikane kjo ndihmë quhet bailout, që do të thotë shpëtim apo dalje nga vështirësitë financiare të bankave në prag falimentimi për shkak se këto institucione bankare janë të siguruara në FDIC me fondin e sigurimit bankar. 2 rreziqet e bankave që përmendëm (mosshlyerja dhe prishja e konditave të tregut) mund të shoqërohen edhe me rrezikun e tretë që është tërheqja e menjëhershme dhe masive e depozitave. Në fakt ky veprim i një qeverie liberale dhe neokonservatore (që ndihmon shtresat e mesme të biznesit) të Bushit, shkon kundër parimit ekonomik të laissez-faire apo ‘the invisible hand’ (liria e tregut dhe rregullimi nga ‘dora e padukshme’ e Smithit) si dhe e teorive monetariste të Friedmanit dhe shkollës së Çikagos ku mbështeten republikanët dhe një triumf të ideve të shkollës me pigment socialist (jo e tipit komunist) të Keynesit të shpallura dhe zbatuara në USA që me New Deal mbas viteve 1930-1960 (në fakt paralelisht edhe nga suedezët dhe Hitleri në Gjermani). Edhe kriza e tanishme po shoqërohej si më 1929 me recension, rënie çmimesh (p.sh. bankën Washington Mutual inc. me 307 miliardë dollarë asete dhe 188 miliardë dollarë depozita e bleu për 1,9 miliardë dollarë asete J.P.Morgan Chase&Co), papunësi (shifra e papunësisë brenda një jave shkoi në 497.000, çka uli porositë ndaj prodhuesve me 4 % në muajin që kaloi pasi 2/3 e konsumit realizohen nga popullata). Gjithsesi, analistë të ndryshëm mendojnë se nuk u ndihmuan amerikanët me bailout’in, por Manhatani me kalimin e fondeve nga Main Street tek Wall Street.

Shkaqet se përse kjo krizë u përhap në gjithë botën janë se tregu financiar dhe ai i prodhimit funksionon si një rrjet i vetëm i përbotshëm dhe tregues të tillë si ndryshimet në normën e inflacionit, në normën e kursimit, ritmet e rritjes së GDP për frymë, treguesi i raportit import-eksport, dhe sidomos normat e këmbimit të monedhave, ndikojnë në mënyrë të ndërsjellë nga jashtë-brenda e anasjelltas. Dhe në fakt, të gjithë treguesit e çmimeve në bursat e Parisit, Tokios, Frankfurtit, kanë pësuar një rënie çmimesh, pa u zgjatur për këtë konkretisht.

A ka rrezik tregu ynë bankar nga kjo gjendje?

Në fakt tregu ynë bankar është një treg më i mbyllur, edhe pse shumica e bankave të nivelit të dytë që veprojnë tek ne janë filiale të mëmave që mund të kenë probleme dhe presione nga qendrat e tyre. Në fakt ne e kemi të vështirë të dimë se si ecën puna me aktivet e kredituara nga këto banka dhe se sa është norma e kredive të këqija. Në faqen e Bankës së Shqipërisë nuk ka një përditësim me materialet e freskëta të faqes së saj dhe aty mund të gjendet një informacion i padetajuar për gjendjen në vitin 2006. Gjithsesi, e them me përafërsi, se sasia e përgjithshme e kreditimit bankar ndaj individëve dhe sferës private shkon gjithsej tek 1,5 bilionë $. Edhe pa ndodhur kriza e sistemit kreditues amerikan, belg, etj., bankat e nivelit të dytë, sipas vjetërsisë së aktivitetit të tyre në tregun tonë, kanë pasur probleme dhe kjo është normale për çdo bankë deri në një nivel të caktuar. Në fakt, BSH dhe Guvernatori i saj kanë kohë që i bien kambanës së respektimit të Rregulloreve për dhënien e kredive, por bankat janë të detyruara të rriskojnë për aq kohë sa kursimet e ardhura, sidomos nga remitancat, kthehen në depozita në sportelet e tyre dhe këtu ka një kontradiktë midis një norme të lartë kursimi që vjen nga pagesat relativisht të larta në Perëndim, dhe normës së kërkesës për kreditim. Unë personalisht jam për ritme mesatare të ulëta zhvillimi dhe rritje të GDP-së pasi zhvillimi vjen si një baticë (me kreditim të lartë mbi investimet) dhe ai ikën si zbaticë, duke e çuar gjithçka në një ekuilibër të përgjithshëm të natyrshëm e të pasforcuar.

Gjithsesi, unë mendoj se Bankat duhet ta ulin riskun që iu vjen nga kredia e keqe. Ato lipset të punojnë me institucione financiare private të faktoringut dhe qeveria lipset të largojë mafiozët përmbarues të cilët lidhen shpeshherë me palën debitore duke ulur kështu eficencën e ekzekutimeve të detyruara mbi kolateralet për të rritur besimin e funksionimit të hallkave të shtetit të së drejtës. Mbase privatizimi i këtij shërbimi do të ulë riskun e sistemit bankar nga kreditë e këqija. Këto kredi mendohet se janë afro 6-7 % për disa banka, edhe përkundër faktit se këto banka shumë kredi konsumatore po i kontabilizojnë si wright off dhe nuk i raportojnë në kreditë e këqija.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›