Algjeria nën “kthetrat” e zjarreve, humbin jetën 34 persona, mes tyre 10 ushtarë

Algjeria po lufton me zjarret që kanë përshirë shtetin e Afrikës veriore që prej së dielës, ndërsa të paktën 34 persona, duke përfshirë 10 ushtarë, kanë humbur jetën si pasojë e flakëve.
Presidenti algjerian Abdelmadjid Taboun shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave. Ministria e Brendshme algjeriane ka thënë se 97 zjarre ishin regjistruar në 16 qarqe.
Të nxitura nga erërat, flakët arritën në zonat e banuara në tre prefektura, ku 1500 banorë u urdhëruan të evakuohen.
Prokuroria e Përgjithshme në Bejaya ka urdhëruar një hetim paraprak për zbardhjen e shkaqeve të zjarreve dhe identifikimin e autorëve të zjarrvënieve të mundshme.
Rreth 8,000 punonjës të mbrojtjes civile dhe 525 automjete zjarrfikëse si dhe avionë e helikopterë po vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve që kanë shkatërruar me mijëra hektarë pyje dhe të mbjella.
Algjeria po përballet me një valë të nxehti , me temperaturë që arrin 48 gradë Celsius. Me temperatura të larta po përballet edhe fqinji i saj Tunizia, ku termometri shënoi 56 gradë.
Situata e krijuar atje ka sjellë dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë duke vështirësuar jetesën e qytetarëve.
Gazetar Artur Mata
/RTSH/