“Zgjohuni, po bie tërmet”/ Turqia goditet nga lëkundjet, rikthehet tmerri i shkurtit ku humbën jetën mbi 52 mijë persona

Një tërmet prej 5.5 ballë të shkallës Rihter është ndjerë mëngjesin e sotëm në Adana të Turqisë. Nga videot e para të publikuara në Turqi duket një person që del nga shtëpia i panikosur. Ai përpiqet të dalë nga shtëpia duke hapur derën e banesës dhe duke bërtitur: “Fqinj, zgjohuni, po bie tërmet”.
Ndërkaq, Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave ka bërë të ditur se është regjistruar një tërmet me magnitudë 5.5 ballë, epiqendra e të cilit ka qenë rrethi Kozan i Adanasë.
Mësohet se tërmeti ka qenë në thellësinë 11.27 kilometra.
Tërmeti shkaktoi panik në qendër të qytetit dhe perfieritë.
Qytetarët u hodhën në rrugë nga shtëpitë dhe vendet e punës. Ndërkaq, po hetohet për çdo dëmtim në zonë, shkruajnë mediat turke.
Nga ana e tij, kryetar i Bashkisë Metropolitane Adana Zeydan Karalar, tha se kanë marrë informacione se në Kozan janë dëmtuar disa hambarë.
Kujtojmë se Turqia u godit nga një tërmet i tmerrshëm në shkurtin e këtij viti, duke lënë të vdekur më shumë se 52 mijë persona. Ky ishte një nga tërmetet vdekjeprurës të ndodhur ndonjëherë në Turqi.
/rtsh.al/