Ali Ahmeti: Serbia po përpiqet të përmbysë arritjet e Kosovës përmes Gjykatës Speciale

Ish-themeluesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ali Ahmeti, mbajti një fjalim në protestën e Prishtinës kundër Gjykatës Speciale, duke akuzuar Serbinë se po përdor këtë gjykatë për të zhbërë pavarësinë e Kosovës dhe për të përmbysur çdo arritje të saj.
Në fjalën e tij, Ahmeti mbrojti me vendosmëri pastërtinë e luftës së UÇK-së, duke theksuar se ajo ishte një luftë e drejtë për liri dhe çlirim nga pushtimi.
Ai deklaroi se UÇK-ja i është përmbajtur gjithmonë ligjeve ndërkombëtare të luftës dhe Konventës së Gjenevës. “Ajo asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit. Asnjëherë nuk ka vrarë civilë, gra, fëmijë apo pleq,” tha ai.
Ahmeti theksoi se lufta e UÇK-së ishte vetëm për çlirim dhe nuk kishte për qëllim të luftonte kundër ndonjë populli, etnie apo feje. Ai argumentoi se kjo luftë e drejtë i hapi rrugën lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ndërsa ndikoi pozitivisht edhe në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon.
Kontributi gjeostrategjik dhe ndikimi rajonal
Ahmeti foli edhe për ndikimin gjeostrategjik të UÇK-së dhe udhëheqësve të saj, duke theksuar se veprimet e tyre sollën Perëndimin, NATO-n, Amerikën dhe Evropën në Ballkan pas rënies së Millosheviçit.
“Ky ndryshim solli stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë pro-perëndimore,” tha ai.
Ai shtoi se janë pikërisht këta liderë, të cilët “sot mbahen padrejtësisht prapa grilave në Hagë”, që kontribuan në këtë stabilitet. Ahmeti kritikoi mungesën e stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon me disa liderë të rinj dhe sugjeroi se ata që i mbajnë të mbyllur këta “kontribues stabiliteti”, punojnë kundër stabilitetit në Ballkan.
Në fund të fjalës së tij, Ahmeti ngriti alarmin se Serbia dhe përkrahësit e saj nuk janë pajtuar kurrë me të drejtat e shqiptarëve dhe se po bëjnë gjithçka për të zhbërë Pavarësinë e Kosovës. “Përmes Gjykatës Speciale të Hagës, ajo po përpiqet të përmbysë çdo arritje në Kosovë,” përfundoi ai.
/rtsh.al/