Ali Ahmeti nderohet me Medaljen e Lirisë dhe Mirënjohje nga Komuna e Rahovecit

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, është nderuar sot me Medaljen e Lirisë dhe Mirënjohjen e Komunës së Rahovecit, në kuadër të aktiviteteve për 35-vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit, Nesimi Elshani, Halim Hoti, Agron Fetahu dhe Hilmi Krasniqi.
Ky nderim i është dedikuar Ahmetit për kontributin e tij në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe historike.
Në një postim në rrjetet sociale, Ahmeti falenderoi Kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi, për këtë vlerësim, duke theksuar se është një inkurajim për të vazhduar rrugën e tij në mbrojtjen e lirisë dhe integritetit kombëtar.
“Në pamundësi për të marrë pjesë në ceremoninë solemne, Medalja e Lirisë dhe Mirënjohja që ishte dedikuar për mua, iu dorëzua Nënë Stanës, Nënës së UÇK-së, nënës së tre ushtarëve të Zonës Operative të Karadakut, e cila gjatë luftës çdoherë na priti duke na dhënë bukë e ujë, duke na siguruar strehim dhe fjetje, pastrim të rrobeve dhe mirëmbajtje e deponim të armatimit, bashkë me mbi 300 luftëtarëve të lirisë, ushtar të UÇK-së!”, shkruan Ahmeti.
Ahmeti përmendi gjithashtu me respekt dëshmorët e kombit dhe kontribuesit e tjerë të cilët dhanë jetën për lirinë e atdheut, duke përfunduar me një mesazh krenarie dhe nderimi për çdo nënë dhe baba që sakrifikuan fëmijët e tyre për këtë kauzë.
“Lavdi për dëshmorët dhe respekt për çdo nënë e babë që dha fëmijët për lirinë e atdheut!” shkruante Ahmeti në postimin e tij.
1 nga 3/a.f/