Maqedonia e Veriut, Kasami: Bisedime që të përcaktohet gjuha shqipe në Kushtetutë

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Besa dhe njëherësh kryetari i komunës së Tetovës, Bilal Kasami foli sot për situatën politike si dhe faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
I ftuar në një studio televizive, Kasami u ndal te çështja e gjuhës shqipe, duke shpjeguar se çfarë e pengon ligjin për gjuhët.
“Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut së paku tre herë është miratuar dhe është ndryshuar ligji për përdorimin. Ndryshimet e fundit ishin një avancim i theksuar i përdorimit të gjuhës shqipe, edhe pse qëndrojmë në pozicionin që nuk është zyrtarizuar, sepse zyrtarizimi bëhet me Kushtetutë dhe jo me ligj. Gjykata Kushtetuese thotë që shumë çështje që rregullohen me ligje të veçanta”, tha ai.
Kasami theksoi se “me një ligj të përgjithshëm është më vështirë të rregullohet përdorimi për gjuhën shqipe”.
“Kemi rastin me gjykatësit, sistemin e drejtësisë, asnjëherë nuk është përdorur gjuha shqipe, nuk u ndryshua ligji për prokurorinë apo gjykatat që të futet gjuha shqipe në institucione. Në po themi që me koalicionin “Vlen” dhe këtë qeverisje do të avancohet përdorimi i ligjit për gjuhën. Kemi bisedime të avancuara me kryeministrin që në paketën e radhës të ndryshimeve Kushtetuese të largohet definicioni 20% dhe në Kushtetutë të definohet si gjuhë shqipe. Sa i përket gjuhës shqipe, po garantojmë që nuk do të ketë degradim të ligjit për gjuhën, por do të avancojë, që të mos jetë 20%, por gjuhë shqipe. Kjo ndërlidhet me një marrëveshje, duke pasur parasysh që Kushtetuta nuk ndërrohet shpesh. Në këtë proces të ndryshimeve Kushtetuese, do përgatitet një paketë që do rregullojë disa çështja një, nga këto do jetë edhe largimi i 20% të gjuhës shqipe”, tha ai gjatë intervistës për “Abc News”.
/r.e/a.f/