Alibali: Migrimi solli ndikim pozitiv në ekonomi dhe uli papunësinë
Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali, mori pjesë dje në workshop-in kombëtar me temë Menaxhimi i migracionit në Shqipëri: Parashikimet e reja politike. Gjatë fjalës së tij, z. Alibali theksoi se qeveria shqiptare, me politikat e saj, po bën të mundur krijimin e mundësive për kthimin e kapitaleve më të kualifikuara njerëzore dhe vënien e tyre në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, marrjen e masave të nevojshme për rikthimin dhe riintegrimin e migrantëve dhe familjeve të tyre në atdhe. Migracioni, – nënvizoi më tej Alibali ndikoi jo vetëm në stabilitetin ekonomik të vendit, duke ulur nivelin e papunësisë dhe duke përmirësuar kushtet social-ekonomike të vendit, por me kthimin e migrantëve, fenomen ky në rritje kohët e fundit, rritet niveli kulturor si pasojë e transmetimit të kulturës apo vënies në përdorim të kapaciteteve të fituara në vendin ku kanë jetuar dhe punuar. Duke përmendur investimet në turizmin kulturor dhe natyror, ku emigrantët mund të investojnë në ndërtimin e hoteleve, restoranteve etj., zëvendësministri shtoi gjithashtu se krijimi i fermave blegtorale, krijimi i sipërmarrjeve bujqësore lidhur me ndërtimin e vreshtave, pemëve frutore, etj., do të lehtësonte ndjeshëm integrimin e emigrantëve si dhe do tu jepte mundësi mbështetjeje financiare nga programet e financimit për bizneset e vogla dhe të mesme.
Alibali: Migrimi solli ndikim pozitiv në ekonomi dhe uli papunësinë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email