Alibali: Qëllimi i Iranit nuk është fitorja, por mbijetesa

Juristi Neritan Alibali ka analizuar strategjinë e Iranit në konfliktin e hapur me SHBA dhe Izraelin, duke theksuar se synimi kryesor i Teheranit nuk është fitorja, por mbijetesa.
Në studion e emisionit “3D” në RTSH, Alibali tha se Irani fillimisht ka synuar të krijojë një krizë ekonomike të tillë që aleatët arabë të SHBA-së dhe opinioni publik amerikan të ushtronin presion mbi presidentin Trump për të ndërprerë veprimet ushtarake dhe për të hyrë në bisedime.
Por sipas Alibalit, kjo strategji dështoi, pasi sulmet iraniane krijuan antagonizëm dhe shtuan tensionet.
“Qëllimi i Iranit nuk është fitorja, është mbijetesa. E gjithë strategjia e Iranit, që në përgatitjet që kanë bërë për sulmet që mund të vijën nga Izraeli apo SHBA, ka qenë pikërisht ajo: format e mbijetesës. Është një strategji e qartë që qëllimi fillimisht i Iranit ka qenë që të krijonte krizë ekonomike të tillë në mënyrë që aleatët e SHBA, vendet arabe dhe opinioni publik amerikan, në kushte e krizës, t’i bënin presion Trump që të ndërpriste veprimet ushtarake dhe të hynte në bisedime me Iranin. Por kjo strategji dështoi për shkak të goditjeve të Iranit, duke krijuar një lloj përplasje antagonizëm. Madje Arabia Saudite ka thëne që mund të marrin pjesë dhe në luftë për të siguruar ngushticën e Hormuzit. Vende islamike dhe arabe janë kundër sulmeve që Irani bën, madje edhe vetë Hamasi i ka bërë thirrje udhëheqësve të Iranit që të mos godasin vendet arabe. Duke qenë që ka dështuar kjo lloj strategjie, Irani duket sikur qëllimi i tij është të krijojë probleme në opinionin publik amerikan”, tha Alibali.
/rtsh.al/