E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksperti Tafani: Goditja e zinxhirit komandues e bën Iranin më të paparashikueshëm

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Endri Tafani, ka analizuar situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme, duke theksuar se goditja e figurave kryesore të shtetit iranian e dobëson ndjeshëm strukturën e komandës dhe e bën vendin më të paparashikueshëm në aspektin ushtarak.

“Në momentin kur ti ke një shtet që funksionon, pastaj papritmas vritet presidenti, kryeministri, kuadrot kryesorë të ushtrisë, të goditen bazat e raketave, kuptohet që je më i dobët. Ajo që mund të thuhet është pikëpyetja sesi do evoluojë situata, sepse kur godet zinxhirin komandues, me kë do negociosh pastaj nëse do të të duhet të negociosh”, tha Tafani në emisionin “3D” në RTSH.

Sipas tij, pas këtyre goditjeve, Irani po shkon drejt një copëzimi të strukturës ushtarake, ku komandat po kthehen në njësi lokale dhe forcat po veprojnë në mënyrë të decentralizuar.

Kjo, sipas ekspertit, e vështirëson ndërhyrjen e trupave të huaja, pasi ato duhet të përballen me grupe të shpërndara dhe jo me një zinxhir të unifikuar komandues.

“Kur dëmton kaq rëndë zinxhirin komandues, ti pastaj nuk ke një person që duhet të ketë konsensus të gjerë. Ajo që po shikohet tani është një copëzim, iranianët kanë marrë masa edhe më përpara, nëse do goditeshin kokat kryesore, kishte objektiva që ishin të paraaprovuar. Komandët kanë filluar të bëhen komando lokale, bëhet një forcë e decentralizuar, gjë që bëhet e vështirë për një trupë të huaj aty që të futet sepse duhet të merret tek e tek me këto forca. Irani bëhet më i paparashikueshëm në kuptimin ushtarak”, theksoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›