E Hënë, 2 Nëntor 2026

Alibali për vendimin e Gjykatës Kushtetuese: Dekreti për Tiranën s’mund të mbetet i pezulluar përgjithmonë, ja dy skenarët e mundshëm

Analisti Neritan Alibali ka komentuar pezullimin nga Gjykata Kushtetuese të dekretit të Presidentit për zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë e Tiranës, duke e cilësuar situatën si një nyje që kërkon zgjidhje të qartë institucionale.

Në studion e emisionit “3D” në RTSH, Alibali tha se fakti që Gjykata Kushtetuese ka vendosur pezullim dhe jo anulim, hap dy skenarë të mundshëm:

“Ose Gjykata Kushtetuese do marrë vendim për ta shfuqizuar atë pjesë të dekretit të Presidentit dhe Presidenti do nxjerrë dekretin për zgjedhjet e ardhshme, ose vetë Presidenti, në mënyrë të pjesshme, të anulojë dekretin dhe të nxjerrë dekretin tjetër që do krijojë jurisprudencë juridike të re,” tha Alibali.

Ai theksoi se një anulim i pjesshëm nga ana e Presidentit do të ishte një precedent i pazakontë në vend.

“Anulim të pjesshëm nuk ka bërë asnjë president dhe nuk ka ndodhur kurrë,” u shpreh ai, duke shtuar se pezullimi nuk mund të mbetet në fuqi për një kohë të pacaktuar.

Në përfundim, Alibali nënvizoi se zgjidhja duhet të vijë ose nga Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi përfundimtar, ose nga vetë Presidenti përmes një akti të ri që zhbën pjesën e pezulluar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›