Alibeaj: Çdo votë e shqiptarëve të lexohet me përpikëmëri!

Kreu i Komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka vlerësuar sikurse u shpreh “maksimalisht qytetarinë e shqiptarëve që falë qetësisë dhe maturisë së tyre, dhuruan sot një proces të qetë zgjedhor, pavarësisht përpjekjeve për intimidim, manipulim, praktikat e shitblerjes së votës apo cenim të këtij procesi”.
Duke folur në një deklaratë për mediat pas zgjedhjeve zoti Alibeaj në emër të Partisë Demokratike falendëroi “kandidatët që ndërmorën sfidën për të përfaqësuar të djathtën e vërtetë, ata djem, vajza burra e gra që u rreshtuan në anën e duhur të historisë duke përfaqësuar logon e PD në garën për këshillat bashkiakë” . “Faleminderit pafundësisht për ju që përballë gjithë politikës së vjetër në pushtet dhe jo, oligarkëve, dhe krimit të organizuar që i mbështesin, qëndruat dhe i dhatë shpresë Partisë Demokratike, demokratëve dhe gjithë shqiptarëve” tha zoti Alibeaj.
Sipas tij “Në këtë betëjë kundër të gjithëve, PD tregoi edhe njëherë se është padyshim e vetmja alternativë qeverisëse për të nesërmen e Shqipërisë”.
Në emër të PD zoti Alibeaj inkurajoi “të gjithë anëtarët e grupeve të numërimit në misionin që ata kanë në orët në vijim për të numëruar korrekt çdo votë të hedhur në kuti. Vota e shqiptarëve është në dorën e tyre dhe misioni për garantimin e saj është i shenjtë. I kujtojmë të gjithë atyre që mendojnë apo do të provojnë të prekin votën e shqiptarëve, se çdo përpjekje për tjetërsim të votës është vepër e rëndë penale dhe si e tillë dënohet nga ligji zgjedhor dhe kodi penal. Partia Demokratike është e bindur se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe shqiptarët do të ndahen përfundimisht me politikën e vjetër duke i dhënë fyrmëmarrje Shqipërisë në rrugën drejt BE” tha zoti Alibeaj në deklaratën e tij.
/ rtsh.al /