E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 14 majit/ PS fiton Vorën, Elbasanin dhe Kamzën. Berisha: Votimi elektronik i manipuluar

Janë dorëzuar në të 92 KZAZ-të në të gjithë vendin materialet zgjedhore dhe kutitë e votimit, ku pritet të nis procesi i numërimit. Në 61 bashkitë e vendit ishin të hapura 5213 qendra votimi, ku fituesit janë shpallur vetëm në 3 bashki Kamëz, Vorë dhe Elbasan, ku votimi dhe numërimi i votave u bë në mënyrë elektronike.

Partia Socialiste siguroi fitoren në të 3 bashkitë, ku garonte me kryetarët aktualë, të cilët kanë rikonfirmuar vijimin e detyrës së tyre në drejtimin e këtyre bashkive. Edhe këshillat bashkitë në këto 3 bashki mbizotërojnë anëtarët e Partisë Socialiste.

Për fitoren e PS reagoi edhe Erion Veliaj, i cili uron Blerim Sherën dhe Rakip Sulin për fitoret e siguruara, përkatësisht në bashkitë Vorë dhe Kamëz. Në bashkinë Elbasan u rikonfirmua në detyrë Gledian Llatja.

Për fitoren e PS, Sali Berisha  tha se kemi të bëjmë më nje rezultat paraprak dhe se do të kërkojë auditim të aparaturave.

Kryetari i komanduar I PD, Enkelejd Alibeaj u shpreh optimist për zgjedhjet, ndërsa tha se “çdo përpjekje për tjetërsim të votës është vepër e rëndë penale dhe si e tillë dënohet nga ligji zgjedhor”.

Për t’u informuar mbi të gjithë procesin e votimit minutë pas minute për zgjedhjet vendore të 14 majit lexo edhe: Mbyllet votimi, Celibashi: Problemet me identifikimin elektronik, njohim përgjegjësinë

Prej orës 07:00 RTSH 24 ka nisur një transmetim maratonë me raportime të drejtpërdrejta nga e gjithë Shqipëria.  Jemi live edhe në Youtube.

Zhvillimet minutë pas minuti

Ora 23.27 Veliaj për RTSH: Jam optimist për Rrogozhinë dhe Kavajën, por të rrimë me këmbë në tokë

Pas fitores në Kamëz dhe Vorë, Erion Veliaj në një intervistë për RTSH tha se është optimist për Rrogozhinën dhe Kavajën.

 “Kamza ishte qershia mbi tortë, por erdhi qershia para tortës. Fitorja më gëzoi jashtë mase. Për Rrogozhinën dhe Kavaja duhet të jemi me këmbë në tokë, jemi optimist por flitet për numra të vegjël dhe nuk mund të dalim të themi do i fitojmë të gjitha. Të jemi me këmbë në tokë”, tha Veliaj.

Lidhur me votimet në Tiranë, Veliaj tha se është kurrizo të dijë nëse ka fituar në disa njësi që njihen gjithmonë si bastione të djathta.

“Janë disa zona qe janë tipikisht të djathtë dhe ne i kemi fituar kemi qenë forcë e parë, kjo është hera e parë që ne përballemi si blloqe dhe jam kurioze si do dalim në njësinë 8, 11 dhe në Zall Herrë. Në të kaluarën PS ka dalë forcë e parë, or nëse PD dhe LSI bashkonte votat dilte më shumë. Tani jam kurioz të di a i fitojmë dot të 27 njësitë”, tha Veliaj.

Duke vlerësuar mbajtjen e zgjedhjeve të qeta dhe tensione, Veliaj tha se shpreson që kjo të vijojë edhe gjatë procesit të numërimit të votave. Për të shmangur tensionet gjatë votimeve, Veliaj tha se kishte porositur stafet të ishin tolerante.   

“Kemi porositur të gjitha stafet tona të jenë tolerantë dhe të mos krijojnë probleme. Më mirë ne tolerant se sa të vazhdojmë lojën e provokimeve. Jam i lumtur që patëm 0 indicet dhe të vijojë kështu edhe procesi i numërimit”, tha Veliaj.

Ora 23.05 Berisha: Votimi elektronik, manipulim i gatuar në mënyrë dixhitale

Sali Berisha ka dalë në një konferencë për shtyp ku tha se nuk do të njoh votimin elektronik, të cilin e konsideroi një manipulim të gatuar në mënyrë dixhitale nga qeveria.

“Të dhënat të besueshme dëshmojnë se Kamza është manipulim digjital monstruoz, monstruoz. Partia Demokratike në vitin 2021 ka qenë 10 mijë vota pas PS-së. Në pollin e pollsterit më të saktë të 13 viteve të fundit, i bërë në fund të shkurti, PD-ja me Partinë e Lirisë ishin 14% para PS-së, ndërkohë që manipulimi digjital e nxjerr sot PS-në 10 mijë vota para këtij koalicionit. 
Ky është absolutisht një rezultat i gatuar në mënyrë digjitale dhe hidhet poshtë me vendosmëri më të madhe. Shtoj këtu se Kamza është shtuar nga qeveria pa aprovimin e askujt dhe në kundërshtim me kërkesat për tu votuar në mënyrë digjitale.
Edhe njëherë them se rezultati i Kamzës pasi u krahasuan rekordet elektorale dhe pollet, janë kryekëput të manipuluara. 
Kur them për Kamzën, atëherë problemi digjital është totalisht në diskutim dhe dyshim të plotë. Kamza fakton çdo gjë, gjithçka. Kemi patur të dhëna, e them këtu, por përsëri nuk mund të nisim paragjykimin. Kemi indicie të tjera në të cilat sistemi është vendosur në kontrolle të dyfishta, por edhe njëherë janë për tu verifikuar këto. 
Ajo që është reale, është se në 2021, PD-ja ka qenë 10 mijë vota para PS-së dhe në pollin e 27 shkurtit, pra në prag të fushatës ka qenë bashkë me aleatin e vet, 14 pikë përpara PS-së.
Ky rezultat është krejtësisht i manipuluar dhe i turpshëm.”, tha Berisha.

Ora 23: 00 PS fiton shumicën edhe në këshillat bashkiakë në Kamzë, Vorë dhe Elbasan

Socialistët duket se nuk kanë fituar vetëm në nivel kryetarësh të bashkive, por ato kanë marrë një shumicë të kosniderueshme mandatesh edhe në këshillat bashkiakë, në të tri bashkitë në të cilat u zhvilluar votimi elektronik Kamzë, Vorë dhe Elbasan.

Sipas të dhënave në faqen zyrtare të KQZ-së, PS ka fituar në Këshillin Bashkiak në Kamzë 20 mandate, ose 43.78 %, koalicioni “Bashkë Fitojmë”, 11 mandate, ose 24.25 %, PD 3 mandate, ose 7.52 %, PSD 2 mandate dhe  PAA, PR, ALD dhe FRD me nga 1 mandat.

Ndërsa në Vorë, PS ka marrë 13 mandate në këshillin bashkiak, koalicioni “Bashkë Fitojmë” 4 mandate, PR dhe FRD me nga 1 mandat.

PS kryeson ndjeshëm edhe në Elbasan ku ka marrë 28 mandate në këshillin bashkiak, ose 48.81%, koalicioni “Bashkë Fitojmë”, 13 mandate ose 24% të votave, PD 7 mandate, ose 13% të votave, ndërsa 3 subjekte të tjera politike PSD, PDIU dhe Partia e Gjelbër, me nga 1 mandat.   

Ora 22:27 Balla për rezultatin në Lushnjë dhe Fier: Kemi arritur mbi 60% të votave

Drejtuesi politik i qarkut Fier, Taulant Balla ka paralajmëruar një fitore të thellë me mbi 60% në Lushnjë dhe Fier.

“PS do jetë fituese në 6 bashkitë e qarkut Fier. Rezultati i Fierit dhe Lushnjës, është një rezultat që PS se ka pasur kurrë, kemi rezultat mbi 60%”, tha Balla.

Procesi i numërimit të votave nuk ka nisur ende, pasi po bëhet dorëzimi i materialeve zgjedhorë pranë KZAZ-ve përkatëse.

Ora 22: 10 Fitorja e  PS në Kamzë, Elbasan dhe Vorë, Berisha: Është rezultat paraprak, do kërkojmë auditimin e aparaturave 

Sali Berisha i ka komentuar si “rezultate paraprake” fitoren nga PS të tre bashkive të para, Kamzë, Elbasan dhe Vorë, ku u përdor votim dhe numërin elektronik. Berisha deklaroi se në këtë rast kemi të bëjmë me transformim të rezultatit nga ky proces.

“Për këto rezultate ka disa kundërshtime shumë të forta, siç keni dëgjuar janë mediat që kanë paraqitur dëshmi të transformimit të votës në këtë proces. Çfarë dua të them me këtë? Unë kërkoj nga KQZ-ja që të bëjë auditim e këtyre aparaturave. E dyta, Kodi Zgjedhor ka parashikimet e veta të sakta se si mund të trajtohet devijimi i rezultatit nga aparaturat.  PD do të kërkojë zbatimin e të gjitha ligjeve në këtë drejtim. Aty ky dyshohet se është devijuar rezultati, do kërkohet auditimi.  Gjithmonë ky është një rezultat paraprak. Rezultati elektronik quhet paraprak sepse provohet gjithnjë fleta e votimit përkatëse. Tani kanë dalë disa media që kanë paraqitur tre raste që thonë se kam votuar për këtë kandidat dhe më ka dalë në ekran kandidati tjetër. Unë nuk jam këtu për t’i dhënë përgjigje përfundimtare, por kjo kërkon të bëhet auditivi i aparaturës.
Cilido që ka dyshime për tjetërsimin e vullnetit të tij, të kërkojë verifikimin e fletës. Siç e dini, çdo votim elektronik printon fletën përkatëse.
Në votimin elektronik, rezultati cilësohet me ligj rezultat paraprak. Unë jam besimplotë në rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ne kemi bërë një monitorim të të gjithë procesit zgjedhor. Siç e thashë edhe njëherë, nuk kemi ndjekur praktikën e një publiciteti të akteve skandaloze që kanë ndodhur, nuk kemi ndjekur sepse kemi pasur gjithnjë si qëllim jo dekurajimin e zgjedhjeve dhe kjo ka funksionuar”,- tha Berisha.

Ora 21.50 PS fiton Kamzën, Veliaj: Pas 30 vitesh e fituam me krenari këtë bashki! Suli: Shqiptarët i dhanë mesazh “non gratës”

Drejtuesi politik i Qarkut Tiranë, Erion Veliaj ka uruar Rakip Sulin për fitoren e bashkisë Kamëz, ndërsa tha se PS e fitoi këtë bashki pas 30 vitesh me meritë. Kamza ka qenë historikisht një bastion i djathtë.

“E kam zemrën plot krenari dhe mirënjohjeje për skundrën tonë që pas 30 e ca vitesh e fitoi me meritë Kamzën që ta çojë përpara. Ju falënderojmë nga zemra”, tha Veliaj.

Ndërsa Rakip Suli tha se qytetarët i dhënë një mesazh non gratës, se ra vetë në gropën që hapi në Kamëz.

“Zoti i bekoftë qytetarët e Kamzës, nder dhe privilegj që mu dha mundësia për të kandiduar. Sot qytetarët e Kamzës i dhanë një mesazh të gjithë shqiptarëve që nuk janë pronë e askujt por në shërbim të familjes së tyre. I dhanë një mesazh non gratës që në 30 vite ai hapi vetëm një gropë të madhe në Kamëz dhe sot ra vetë”, tha Suli.

Ora 21:44 Fitoi në Elbasan, Llatja: Qytetarët zgjodhën të vazhdojnë përpara, drejt së ardhmes

Gledian Llatja, kryebashkiaku që fitoi sfidën elektorale edhe për një mandat tjetër për kryetar bashkie në Elbasan, përballë rivalit të „BF“-së, Luçiano Boçi, në një postim në rrjetin e tij social Facebook, pasi ka falenderuar qytetarët për besimin që i dhanë, ka nënvizuar se: Elbasani e bëri ndryshimin.

Sipas tij, elbasanllijtë zgjodhën të vazhdojnë përpara drejt së ardhmes.

Ora 21.29 Blushi: Shpallja e fitores së Llatjas, operacion mafioz i Ramës, për të demotivuar numëruesit dhe vëzhguesit e opozitës

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, ka reaguar, lidhur me fitoren, sipas PS-së, të kandidatit socialist për bashkinë e Elbasanit, Gledian Llatja. Ai, nëpërmjet një postimi në Facebook, shprehet se “ky rezultat është nga operacioni mafioz i Ramës”.

“Mos u habisni nga “rezultatet” e votimit elektronik ku qytetari voton Luçiano Boçin dhe i del Llatja! Operacioni mafioz i Edi Ramës, për të demotivuar komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit e opozitës duhet të marrë përgjigjen e merituar! Të mbrojmë dhe numërojmë çdo votë për kandidatët tanë!”- shkruan Blushi.

Ora 21.07 Veliaj përshëndet fitoren e Rakip Sulit për bashkinë e Kamzës

Drejtuesi politik i Qarkut Tiranë, Erion Veliaj, ka përshëndetur edhe Rakip Sulin për fitoren, i cili, ruajti drejtimin e bashkisë Kamzë edhe për 4 vitet e ardhshme.

“Fituam me 60% Bashkinë e Kamzës, për t’i shërbyer me dashuri e përkushtim 100% qytetarëve të saj. Bravo Rakipit dhe skuadrës së tij, dhe punë të mbarë nga nesër për t’a çuar Kamzën gjithnjë e më përpara”, tha Veliaj.

 Ora 21.05 PS fiton Vorën, Veliaj: Fituam bindshëm për të ecur përpara! Shera: Do ju shërbejë të gjithëve

Drejtuesi politik i PS për qarkun Tiranë, Erion Veliaj ka dalë nga selia rozë për fitoren në bashkinë Vorë. Veliaj uroi Blerim Sherën për fitoren, ndërsa tha se PS mori një fitore të bindshme në Vorë.

“Fitorja e dytë në rang vendi vjen nga Qarku i Tiranës. Fituam me 74 % Bashkinë e Vorës, për t’i shërbyer me dashuri e përkushtim 100% të qytetarëve të saj. Jam i ndërgjegjshëm që kemi fituar bindshëm një bashki historikisht të djathtë, ndaj e shohim me përulesi e mirënjohje të jashtëzakonshme një besim kaq të madh. Bravo Blerimit dhe skuadrës së tij, dhe punë të mbarë nga nesër për t’a çuar Vorën gjithnjë e më përpara.” tha Veliaj.

Në fjalët e para pas fitores Blerim Shera falënderoi bashkëqytetarët e Vorës, Bërxullës dhe Prezës.

“Zotohem që do u shërbej të gjithëve me përulësi siç e kam bërë. Mezi pres ta nis punën që nesër e tu shërbej pa dallim politike”

Ora 21.00 Alibeaj: Çdo votë e shqiptarëve të lexohet me përpikëmëri!

Kreu i Komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka vlerësuar sikurse u shpreh “maksimalisht qytetarinë e shqiptarëve që falë qetësisë dhe maturisë së tyre, dhuruan sot një proces të qetë zgjedhor, pavarësisht përpjekjeve për intimidim, manipulim, praktikat e shitblerjes së votës apo cenim të këtij procesi”.

Duke folur në një deklaratë për mediat pas zgjedhjeve zoti Alibeaj në emër të Partisë Demokratike falendëroi “kandidatët që ndërmorën sfidën për të përfaqësuar të djathtën e vërtetë, ata djem, vajza burra e gra që u rreshtuan në anën e duhur të historisë duke përfaqësuar logon e PD në garën për këshillat bashkiakë” . “Faleminderit pafundësisht për ju që përballë gjithë politikës së vjetër në pushtet dhe jo, oligarkëve, dhe krimit të organizuar që i mbështesin, qëndruat dhe i dhatë shpresë Partisë Demokratike, demokratëve dhe gjithë shqiptarëve” tha zoti Alibeaj.

Sipas tij “Në këtë betëjë kundër të gjithëve, PD tregoi edhe njëherë se është padyshim e vetmja alternativë qeverisëse për të nesërmen e Shqipërisë”.

Në emër të PD zoti Alibeaj inkurajoi “të gjithë anëtarët e grupeve të numërimit në misionin që ata kanë në orët në vijim për të numëruar korrekt çdo votë të hedhur në kuti. Vota e shqiptarëve është në dorën e tyre dhe misioni për garantimin e saj është i shenjtë. I kujtojmë të gjithë atyre që mendojnë apo do të provojnë të prekin votën e shqiptarëve, se çdo përpjekje për tjetërsim të votës është vepër e rëndë penale dhe si e tillë dënohet nga ligji zgjedhor dhe kodi penal. Partia Demokratike është e bindur se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe shqiptarët do të ndahen përfundimisht me politikën e vjetër duke i dhënë fyrmëmarrje Shqipërisë në rrugën drejt BE” tha zoti Alibeaj në deklaratën e tij.

Ora 20.50 PS fiton bashkitë Vorë, Elbasan dhe Kamzë, rikonfirmohen kryebashkiakët

Partia Socialiste ka siguruar 3 fitoret e para në zgjedhjet vendore të 14 majit duke fituar në Bashkitë Vorë, Kamëz dhe Elbasan, ku votimi dhe numërimi u bë në mënyrë elektronike. Në këto bashki PS garonte me kryetarët aktualë, të cilët kanë rikonfirmuar vijimin e detyrës së tyre në drejtimin e këtyre bashkive.

Rezultati ende nuk është zyrtar pasi kanë mbetur edhe pak qendra votimi pa u numëruar, por diferenca mes kandidatëve është i thellë.

Blerim Shera i Partisë Socialiste është shpallur fitues si kryetar i Bashkisë Vorë. Shera deri tani ka 74.28 % të votave. Shera ishte në garë me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Indrit Hoxha, ka 25.72 % të votave

Pjesëmarrja në votime në Bashkinë Vorë ishte 43 %, ku votuan 13 300 persona nga 30 822 votues që ka kjo bashki. Krahasuar me  zgjedhjet e pjesshme vendore të 2022 të zhvilluara në bashkinë Vorë, këto zgjedhje pjesëmarrja ishte 2 % më e lartë.

Në Bashkinë Elbasan fitues ka dalë Gledian LLatja deri tani me 55.03 %të votave, ndërsa kundërshtari i tij Luçiano Boçi i koalicionit “Bashkë-Fitojmë” ka 44.97 % të votave

Edhe në Kamëz është shpallur fitues Rakip Sulit i PS me 60.65 % të vota. Kandidati i “Bashke Fitojmë” Arjan Hoxha ka 35.11 % të votave dhe Bilbil Bajraktari i PD ka 4.24 % të votave

Ora 20:30 Celibashi: Nesër në mbrëmje rezultatet e zgjedhjeve, nuk tolerojmë asnjë shkelje të komisionerëve

Kryetari i KQZ-së deklaron se rezultatet do të dalin në fund të ditës  së nesërme, pra e hënë.

“Nuk do të tolerojmë asnjë sjellje të komisionerit apo numëruesit që nuk është në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Me shumë siguri, brenda afatit të përcaktuar fundi i ditës së nesërme do të kemi rezultatin e ditës së zgjedhjeve. Do të ushtrojmë të gjithë autoritetin që na jep ligji për ti vendosur komisionerët dhe anëtarët e grupit të numërimit në pozita përgjegjshmërie dhe zbatimi të detyrës.”

Në 40 qendra votimi është pezulluar votimi, ndërsa në total janë bërë 35 denoncime në KQZ.

“Vetëm në 11 % janë hasur vështirësi me aksesimin në qendër të votimit. Kemi marrë 35 denoncime në total. Pjesëmarrja në 34.37 % për ata qendra votimi që është raportuar në mënyre elektronike. Për procesin e votimit, kemi pasur pezullim në 40 qv. Është numër shumë i vogël se sa është propaganduar dhe është paraqitur si shqetësim”, tha Celibashi.

Ora 20: 28 Meta: Misioni ynë vazhdon për numërimin edhe të votës së fundit

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët që morën pjesë në zgjedhje duke përbuzur, sipas tij, presionet e të gjitha llojeve të bëra nga pushteti.

Ai ka shprehur respektin më të madh për qytetarët votues, që sfiduan, sipas tij, deformimet shumë të rënda dhe të qëllimshme të standardeve të zgjedhjeve nga qeveria dhe KQZ.

“Shpreh mbështetjen dhe vlerësimin më të lartë për të gjithë anëtarët e komisioneve dhe vëzhguesit e opozitës, që megjithëse në kushtet më të vështira, kryen detyrën me përkushtim dhe vendosmëri në shërbim të votës së çdo qytetari. Në këtë moment që procesi i votimit ka përfunduar, misioni ynë vazhdon me më shumë përkushtim se më parë për numërimin edhe të votës më të fundit. Sot monizmi ka marrë një goditje shumë të fortë falë qytetarëve që e duan lirinë. Të vazhdojmë pa u ndalur në këtë rrugë të hapur me kaq sakrifica për ta çuar deri në fund misionin tonë për votën e lirë dhe mbrojtjen e pluralizimit politik dhe demokracisë.”- shkruan Meta.

Ora 20: 00 Kryeministri Rama paralajmëron fitore të thellë 

Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ka bërë një “parashikim” për rezultatin e zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, ku, sipas një grafike, ai parashikon se PS ka marrë 50 bashki, ndërsa opozita nga 0 deri 11 bashki.

Ora 19:55 Begaj: Numëruesit të sigurojnë e garantojnë vullnetin e shprehur me votë të qytetarëve shqiptarë

Presidenti shqiptar Bajram Begaj falenderoi bashkëatdhetarët e tij që morën pjesë në votimet për zgjedhjet lokale, ndërsa u bëri thirrje numëruesve të sigurojnë e garantojnë vullnetin e shprehur me votë të qytetarëve shqiptarë.

“Falenderoj  të gjithë shqiptarët të cilët votuan sot me përgjegjësi e dinjitet, duke përmbushur kështu një të drejtë kushtetuese, por edhe një detyrim moral e qytetar ndaj vendit” shkruajti zoti Begaj në rrjetet sociale.

“Në këtë moment të fillimit të numërimit të votave, si dhe të nxjerrjes së rezultateve, ju bëj thirrje të gjithë të përfshirëve në këtë proces që të kryejnë detyrën e tyre me përgjegjësi, ndershmëri e profesionalizëm, duke siguruar e garantuar vullnetin e shprehur me votë të qytetarëve shqiptarë. Votuesit shqiptarë folën!

Është koha që vota e tyre të numërohet drejt dhe pa vonesë!” përfundon mesazhi i presidenti Bajram Begaj.

Ora 19: 45 Mbyllja e votimit, Berisha: Garantoj qytetarët se vota e tyre do të peshojë më shumë se kurrë 

Sali Berisha, kreu i “Rithemelimit” të PD-së, në një dalje të parë pas mbylljes së qendrave të votimit, ka falenderuar të gjithë qytetarët që votuan në zgjedhjet vendore.

Sipas tij, qytetarët votuan në kushtet nga më të jashtëzakonshme, por u ngritën mbi çdo gjë dhe folën me votën e tyre “me guxim dhe vendosmëri”.

“Guximi, vendosmëria, përgjegjësia e qytetarëve sot ishte epike. Pjesëmarrja ka qenë jo ajo që duan ta zvogëlojnë të dëshpëruarit, ata që bënë gjithçka kundër këtij procesi, por një pjesëmarrje nga më të denjat për qytetarët në të katër anët e vendit.
Unë kam vlerësimin më të lartë, mirënjohjen më të pakufishme të të gjithë atyre të rejave, të rinjve, burrave dhe grave që qëndruan në krye të përgjegjësisë në komisionet e votimit. U përballën me presione dhe kërcënime nga më të papranueshmet, por kryen me nder para shqiptarëve një detyrë që është mbi të gjitha detyrat. Në kushte paqeje, kjo është detyrë mbi të gjitha detyrat.

Iu bëj thirrje, me atë përgjegjësi që dëshmuan gjatë ditës, me atë guxim me të cilin përballuan presionet e egra të mafies shtetërore, të bandave të kësaj mafieje dhe oligarkëve dhe bandave të saj, po me atë përgjegjësi dhe vendosmëri të numërojnë çdo votë. Garantoj qytetarët se vota e tyre do të peshojë më shumë se kurrë se asnjëherë. Se kjo betejë është një betejë e një rëndësie historike dhe këtë betejë do e fitojnë vetëm ata të cilët mbrojnë kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme,” tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›