E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Elektorati ynë shkoi tek LSI, por kjo zhvendosje është e përkohshme

alibeajDemokratët akoma nuk e besojnë se humbën për shkak të qeverisjes. Enkelejd Alibeaj, ish- deputet i Partisë Demokratike, është i bindur se humbja erdhi pasi nuk funksionuan strukturat. Sipas tij, qeverisja ka qenë mëse e kënaqshme.

Është e vërtetë që tani është koha për të bërë një analizë të ftohtë. Analizat tashmë mund të bëhen për të parë shkaqet dhe dimensionet. Ajo që ndodhi në 23 qershor ka qenë jo pasojë e performancës së qeverisë, por e një mosfunksionimi të strukturave të PD. Patëm zhvendosje të elektoratit, dezertim të mbështetësve të PD. Po ta kapësh tek performanca e qeverisë, ka qenë mëse e kënaqshme marrë parasysh të gjitha pengesat, edhe ato financiare. Faji duhet gjetur tek organizimi i brendshëm i PD-së. Mënyra si u organizua jo vetëm në nivel partiak, por dhe qeveritar, u organizua në decentralizimin apo përqendrimin në pak duar. Dihet mirë se ku ka qenë pika e gravitacionit, tek ajo pjesë që kishte pushtetin dhe papërgjegjshmëria për të kapur ndjesitë e elektoratit të djathtë.

Duke folur për Ora News, Alibeaj thotë se kjo humbje mund të rikuperohet shpejt.

Është një elektorat që i përket së djathtës që shkoi në masën më të madhe tek LSI, për shkak të pakënaqësisë, familjarizimit për shkak të bashkëqeverisjes që PD pati me këtë parti, të një shprese që sdo krijonte dëme për PD në 23 qershor. Nëse u gabua me frymën e krijuar se LSI do rikthehej sërish në koalicion me PD, faji nuk është tek ky elektorat. U krijua vetë shpresa nisur nga qejfmbetja. Unë mendoj se kjo është e përkohshme. Diçka e rëndë ka ndodhur që u zhvendosën, por është e rikuperueshme, tha Alibeaj./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›