Alibeaj: Mbyllja e listave me 30%, pazari i radhës

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Deputeti i opozitës Enkelejd Alibeaj kundërshtoi sot propozimin e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për mbajtjen e 1/3 të listës së kandidatëve të mbyllur.
Gjatë diskutimeve në komisionin e Ligjeve, Alibeaj e konsideroi këtë propozim “një pazar për t’i dhënë Edi Ramës mandatin e katërt në tavolinë”.
“30% të fiksuar të listës është mbrojtja më e madhe që i jepet Ramës. Do të fshehë në atë pjesë figurat më të larta politike, e drejta e atij ta bëjë atë punë, por jo në kurriz të shqiptarëve. I jep mundësinë Ramës të përdorë administratën, patronazhistët për të vjedhur votat. I jep 12 mandate dhuratë”, tha Alibeaj.
Sipas tij, “shqiptarëve duhet t’u jepet e drejta që ta zgjedhin ata deputetin që duan”.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është për listë të hapur. Kjo që po ndodh është rikthim tek listat e bllokuara të zgjedhjeve të viti 2008. Ishte mirë herësi 10 mijë vota, se ndonjë si Majko e kalonte. Sot s’ka më herës”, tha Alibeaj.
Gjithashtu, ai kundërshtoi votën e diasporës me postë dhe propozoi që ata të votojnë në mënyrë të monitoruar në vendet ku janë.
/m.m/r.e/