Alibeaj akuza Ramës: Ke frikë të dënosh gjenocidin serb! Kryeministri: Jeni thika në kurrizin e Kosovës

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, janë përfshirë në një debat këtë të enjte në Kuvend. Alibeaj kërkoi që të pranohej amendamenti i tij për të përfshirë në projektrezolutën e paraqitur nga PS për kundër raportit të Dick Marty për luftën në Kosovë, duke kërkuar që të dënohet edhe gjenocidi serb. Ai akuzoi Ramën se ka frikë të flasë për këtë çështje
“Kam kërkuar që në atë projektrezolutë që e keni paraqitur ju të parashikohet edhe që ky Kuvend të njohë gjenocidin serb në Kosovë. Ju keni paraqitur një projekt rezolutë me të drejtë, por shkaku është pikërisht genocidi serb në Kosovë, pse ke frikë ta përmendësh këtë, ta debatosh. Më heq të drejtën për të paraqitur amendamente. Kush je ti që heq të drejtën për të paraqitur amendamente për të shprehur mendimin e tyre, je duke bërë shkelje shumë të rëndë. Keni vetëm frikë, si nuk pranoni që në atë vend me gjakun tonë ka ndodhur gjenocid serb. Pse nuk e pranoni?”, tha Alibeaj.
Kryeministri Edi Rama i konsideroi të “neveritshme” akuzat e Alibeajt, teksa tha se Partia Demokratike e ka përdorur gjithnjë Kosovën për të shpërqendruar vëmendjen nga krizat në këtë parti.
“Është e neveritshme pse e bëni këtë, kujtoni gjenocidin në Kosovë për të njëjtën arsye që kujtuat atë të Serbrenicës. Sa herë ka pasur një krizë që ju është dashur ta kapërceni keni futur në mes viktimat e Kosovës. Sa herë ju është dashur të nxirrni nga axhenda probleme të caktuara, përkojnë me rezoluta dhe deklarata për Kosovën. Zgjoheni ju në 2022 dhe kujtoheni për Srebrenicë. Ju nuk keni lidhje me Srebrenicën, ju jeni gati t’i zhvarrosni dhe një herë dhe t’i fusni sërish në varrin masiv, për të thënë që socialistët nuk duan. Ai shtet i lirë sovran, është krijuar nga ata pa të cilët as ju as ata në Prishtinë nuk duhet të bëjnë asnjë hap. Nëse ju bashkë me ata në Prishtinë doni të bëni hapa të tillë, bëjeni, por ne nuk i bëjmë. Para se ne të bëjmë një hap të tillë duhet dakordësia e aleatëve tanë se nuk mund të bëhemi ne si foltorja e gojorja. S’keni ç’i bëni gomarit dhe i bini samarit dhe për samar përdorni Kosovën. Kjo rezolutë e ka zanafillën në votën që keni dhënë ju në Këshillin e Evropës, Dick Marty. Ia keni hapur rrugën ju. Përkundër votës së Shpëtim Idrizit dhe Damian Gjiknurit që votuan kundër. Thikat që i keni ngulur ju Kosovës ka qenë që ditën e parë. Ditën ia ngulët në gjoks Presidentit të Kosovës. Ju jeni në fakt thika në shpinën e Kosovës. Dhe këtij roli historik nuk keni për t’i shpëtuar kurrë”, u shpreh Rama.
Të njëjtin qëndrim me Alibeajn mbajti edhe ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili tha se e vërteta e hidhur është se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se kjo duhet të dënohet.
“Dënimi i gjenocidit serb në Kosovë nuk ka për qëllim mbajtjen e pengjeve të së shkuarës, por për të ardhmen e begatë. Çdo qëndrim tjetër ndaj Serbisë, sado të fshihet nëpërmjet banalitetit të gënjeshtrave është amnisti ndaj një të shkuarve që rrezikon të përsëritet nëse nuk dënohet. Në këtë mënyrë ne i japim edhe më shumë zë në arenën ndërkombëtare të vërtetës së hidhur të gjenocidit të kryer në Kosovë”, u shpreh Basha.
/rtsh.al/