E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Hackerat gjobë 30 mln euro ndaj AKSHI-t? Rama: Shpifje e turpshme që i shërben përhapjes së panikut

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë lajmin se hackerat që bllokuan të gjitha faqet qeveritare dhe shërbimet online të AKSHI-t kanë kërkuar 30 milionë euro. Duke iu referuar një lajmi të Top Channel, Rama e ka konsideruar këtë një shpifje të turpshme, që shërben vetëm në gënjimin e publikut dhe përhapjen e panikut.

Duke cilësuar se qeveria nuk merret me gjyqe ndaj mediave për shpifje, kryeministri Edi Rama i ka kërkuar televizionit në fjalë që të ndalë shpifjet lidhur me pasojat e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë. Rama thekson se hakërrimi i shërbimeve u bë nga një shtet tjetër dhe jo nga bandë digjitale që merret me vendosjen e gjobave.

“AKSHI dhe një skuadër e super e specializuar ekspertësh të huaj, po luftojnë natë e ditë për rimëkëmbjen e plotë në kohë rekord të sistemeve pas zmbrapsjes së sulmit. Është e turpshme që të gënjehet publiku në këtë farë feje, cilat do qofshin motivet e kësaj vale shpifjesh haluçinante!

Lajmet për një gjobë 30 milionë euro nga hakerat apo për shkatërrimin e të dhënave janë krejt të rreme! Qeveria ka informuar aq sa mund të informojë, në ndërkohë që lufta nuk ka mbaruar dhe pas hakerave qëndron një shtet tjetër, jo një bandë dosido digjitale që merret me gjoba!

Gjyqet me median për shpifje, përfshirë edhe shpifjet që përhapin panik, nuk janë në praktikën e qeverisë sonë! Prandaj i bëj thirrje publike TCH të ndalë menjëherë valën e shpifjeve dhe përhapjen e panikut lidhur me pasojat e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë”, shkruan Rama.

Më 17 korrik Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) njoftoi se të gjitha shërbimet publike online dhe faqet qeveritare ishin bllokuar nga një sulm kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. Edhe pse një pjesë e shërbimeve janë rikthyer në punë, po punohet ende për kthimin në normalitet të të gjitha shërbimeve publike online për qytetarët.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›