E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alimani: Të shmangim shabllonet

Regjisori i filmit "Amnistia", tregon për skenarin e përfunduar, aktorët jo me "famë" që ka zgjedhur, historinë njerëzore të rrëfyer, bashkëpunimet, dhe një opinion për nivelin e kinemasë shqiptare. I pari regjisor që i aprovohet një projekt nga Eurimages


Portrete të freskët dhe dalje nga kallëpet e aktrimit shqiptar. Dy synime që prijnë punën në vazhdim të regjisorit Bujar Alimani për filmin "Amnistia".


Alimani zbulon më tepër rreth projektit që kaloi me sukses në sitën e Eurimages (Fondi i Këshillit të Evropës për Kinematografinë Evropiane). Është i pari projekt që miratohet nga ky organizëm qysh prej anëtarësimit të Shqipërisë në të, shtator 2009.


"Amnistia", siç do të quhet tani e tutje skenari i shkruar po nga Bujar Alimani, arriti të financohet nga Eurimages 120 mijë euro dhe ka siguruar mbështetjen e shtëpisë filmike greke "Fantasia Audiovizual" 35% dhe asaj franceze "Arrizona Film" 15 %.


Më e rëndësishme për regjisorin është promovimi që Eurimages i siguron filmit për të marrë pjesë nëpër Festivalet Evropianë. Mësojmë se skenari është drejt fundit, duke llogaritur këtu edhe një tentativë të fundit drejt perfeksionit.


Alimani tregon se "Amnistia" trajton një histori të thjeshtë njerëzore, që zhvillohet mes personazheve që nuk flasin shumë për veten, por lejojnë të zbulohen. Veç emrave të aktorëve protagonistë, Ornela Kapetanit dhe Karafil Shenës, Alimani nuk zbulon të tjerë. Një gjë është e sigurt. Ata nuk janë në rrethin e më të njohurve.


"Aktorët e Amnistisë do të jenë përtej parashikimeve standarte dhe mund të ketë surpriza. Jo për ndonjë efekt të qëllimtë, por për të vërtetuar se në filmat tanë mund të shohim edhe aktorë jo shumë të njohur e që sipas një mendimi të përgjithshëm u përkasin vijës së fundit të rrethit, por që për mua kanë një potencial të jashtëzakonshëm emocional", pohon regjisori i filmave "Katoi", "Gas" dhe "Busulla". Jeton prej disa vitesh në Greqi.


A ka marrë formë përfundimtare projekti i "Përtej Amnistisë"?


"Përtej Amnistisë" ose "Amnistia", siç do quhet këtej e tutje skenari, është shumë afër formës së plotë dhe mund të them se xhirohet edhe kështu siç është sot. Por kam akoma pretendime dhe e ndjej se do akoma pak punë me skenarin, me disa skena të tij që mendoj se mund të perfeksionohen edhe më shumë.


Ashtu edhe dialogët, që në përgjithësi, përpiqem t'i kem sa më të reduktuar. Personazhet e mi nuk flasin shumë e kjo i bën ata më tepër interesantë për të ndjekur rrugën e vijimit të veprimeve të tyre.


Cilat shtëpi filmike janë afruar për të bashkëpunuar?


"Amnistia" është një bashkëprodhim shqiptaro-greko-francez. Sigurisht projekti është shqiptar, gjuha që flitet aty është 90% shqip e kjo diktoi edhe përgatitjen e saktë të projektit për në Eurimages sepse duhej të përcaktoheshin saktë përqindjet e pjesëmarrjeve të secilës palë.


"90 Production" është Kompania Filmike Shqiptare, që ka 50% të prodhimit dhe shfrytëzimit të filmit, "Fantasia Audiovizual" është kompania greke e cila ka 35% të tij dhe 15% i mbetet kompanisë franceze "Arrizona Films".


Çfarë historie ka "Amnistia" dhe kush janë aktorët?


Është një histori e thjeshtë të cilën unë dua me po kaq thjeshtësi dhe pa efekte ta paraqes në celuloid. Dy njerëz kanë një marrëdhënie paralele të jashtëligjshme, që para syve tanë është më normale se kurrë. Por, ajo që mendoj se mund ta bëj interesant filmin tim, është shmangia nga shablloniteti e kallëpet në të cilat është mbërthyer aktrimi shqiptar. Sjellja e portreteve të freskët në kinematografinë shqiptare është obligim i çdo regjisori të ri, apo të vjetër qoftë.


Sipas kësaj logjike aktorët e "Amnistisë" do jenë përtej parashikimeve standarte dhe mund të ketë edhe surpriza. Jo për ndonjë efekt të qëllimtë, por për të vërtetuar se në filmat tanë mund të shohim edhe aktorë jo shumë të njohur, dhe që sipas një mendimi të përgjithshëm, u përkasin vijës së fundit të rrethit, por që për mua kanë një potencial të jashtëzakonshëm emocional.


Si e komenton mos miratimin e këtij projekti vitin e kaluar nga Bordi i QKK-së?


Nuk doja të mbetesha në këtë pikë. Kjo pyetje më kujton shpesh pyetjen e parë që më bëjnë gazetarët grekë "A keni hasur racizëm?. Përgjigja ime është gjithnjë po e njëjta "Nuk dua të mbetem atje.Është humbje kohe.


Po të merresha me racizmin nuk do kisha bërë 4 filma të shkurtër". Pra nuk dua të komentoj vendimin e Bordit të vjetshëm për projektin tim. Ashtu e gjykuan. Në bibël Krishti, në një moment kur po e shpinin në Golgothë, ngriti sytë nga qielli e tha "Fali o AT...nuk dinë se ç bëjnë..."


A mendon se ka ndikuar në vlerësimin, fakti që ky është një bashkëprodhim shqiptaro-grek?
Eurimages ka një strukturë tepër të veçantë në të cilën është tepër e vështirë të hysh nëse nuk ke një bashkëprodhim të fortë.


Dosja për të cilën punuam tri producentë ka nisur të formohet qysh në shtatorin e kaluar dhe u paraqit në dhjetor 2009. E rëndësishme është serioziteti i Shtëpive Filmike dhe CV-të e tyre. Përpos kësaj, në Eurimages mbi të gjitha vlerësohet historia që ti do të tregosh, skenari i cili duhet të jetë transparent e t'u japë mundësinë ta shohin që aty se mund të bëhet film.


Përcjellja e imazheve të dukshëm për gjithkënd, e mbi të gjitha humanitetin mbarënjerëzor që mbart historia dhe karakteret e tu. Dua të shpresoj se të gjitha këto projekti im i kishte.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›