E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sinjali i parë për çlirimin e Amfiteatrit

Komisioni i Shpronësimit në Ministrinë e Kulturës, në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit nisin punën për shpronësimin e banesave në Amfiteatrin e Durrësit. Deri tani është marrë vendimi për dy banesa në arenën e Amfiteatrit. Surja Lela shpjegon si do të kompensohen banorët


Në mbledhjen e fundit, më 16 mars, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë miratoi dy projekte të prezantuara nga Studioi "Frashëri" për ndërhyrje arkeologjike dhe restauruese në Amfiteatrin e Durrës dhe Kalanë e Tiranës. Ndërhyrjet konsistonin në arenën e amfiteatrit, në shkallaret, në rikonstruksionin e galerive dhe Ndenjëses së tij.


Në këtë mbledhje përfaqësuesi i studios "Frashëri", Gjergj Frashëri shpjegoi se "të gjitha shtëpitë që janë ndërtuar në trupin e këtij monumenti duhet të hiqen prej aty, me qëllim që të hapet fasada e amfiteatrit e cila nuk mund të shikohet nga asnjë pikë e qytetit, për shkak të ndërtesave dhe të punimeve të kohëve të fundit".


Një problem që kanë ndeshur ndeshin për vite me radhë subjektet shtetërore dhe private që kanë marrë përsipër një fushatë gërmimesh dhe restaurimesh në Amfiteatër. Këtë problem e ngre edhe njëri prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, Gjirak Karaiskaj. Në vitin 2004, kohë kur ai ka drejtuar Institutin e Monumenteve, ka pasur në dorë një projekt për gërmimet arkeologjike në Amfiteatër.


"Bashkia e Durrësit u përpoq që t'i bënte këto shpronësime, por nuk ia arriti dot", pohon Karaiskaj dhe shton se ritmet e gërmimeve në këtë zonë arkeologjike kanë ecur gjithmonë me ritme të ngadalshme. Kështu po ndodh edhe me gërmimet që ka marrë përsipër të bëjë kohët e fundit, Universiteti i Parmës në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë. Gjithsej tri javë gërmime në vit, dhe këto kohë ata janë në fund të kontratës.


Ritmin e ngadaltë të gërmimeve e përmend edhe përgjegjësi i Sektorit të Arkeologjisë së Shpëtimit, Surja Lela, dhe pohon se në Amfiteatër janë bërë shpesh gërmime, por asnjëherë nuk iu është afruar banesave. Gjithçka, që u diskutua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë ishte një projekt-ide për fillimin e punimeve për restaurimin dhe kthimin në gjendje të ekspozueshme të Amfiteatrit të Durrësit. Projekti kërkon kohë dhe nuk ka vjelur akoma financat.


Ndërkohë ka filluar puna për shpronësimet e banesave që po "i marrin frymën" Amfiteatrit. Prej dy muajsh është ngritur një Komision për Shpronësimin e banesave në Amfiteatrin e Durrësit, që përbëhet nga: Suzana Turku (kryetare), Surja Lela (anëtar), Lejda Duro (anëtare), Donika Kaçaj (anëtare). "Fillimisht do të shpronësohen dy banesat që ndodhen në Arenën e Amfiteatrit, ku gjendet edhe pjesa më e madhe e masivit të dherave. Kjo është në funksion të gërmimeve të gjithë arenës, dhe të konservimit të zonës përreth.


Ndërtesat zënë një sipërfaqe prej rreth 400 m2 të dyja dhe llogariten rreth 9000 m3 depozitime. Janë ndërtesa private, janë realizuar në fillimet e shek XX", shpjegon Lela.


Po çfarë do të ndodhë me pronarët e shtëpive, që jo në pak raste nuk kanë qenë dakord me gërmimet në Amfiteatër? "Komisioni i Shpronësimeve tani po bashkëpunon me Bashkinë e Durrësit, e cila do të japë zgjidhjen për lëvizjen e banorëve, me synim që të fillojë sa më shpejt gërmimi arkeologjik


Banorët do të kompensohen, sipas vendimeve që do të marrë Komisioni për Vlerësimin e Pasurisë", thotë përgjegjësi i Sektorit të Arkeologjisë së Shpëtimit.


Juristja Lejda Duro, anëtare e këtij komisioni, na shpjegon se ligji nr.8561, datë 22.12.1999 "Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik", në nenin 4 të tij parashtron: "Shpronësimi dhe marrja në përdorim të përkohshëm të pasurisë private bëhet duke respektuar dhe kompensuar në vlerë, në përputhje me ligjin, të drejtat e të tretëve mbi pasuritë pronë private që shpronësohen, si dhe zhvlerësimin për shkak të shpronësimit të pasurive të reja pronë private që nuk janë objekt i shpronësimit".


Për momentin Komisioni i Shpronësimit është duke pritur një përgjigje nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme" të Durrësit për dy banesat brenda kalasë, që janë të parat që do të shpronësohen.


Ndërsa për Amfiteatrin është hedhur "guri i parë", për Kalanë e Tiranës ende nuk është marrë asnjë vendim.


"Besoj se shumë shpejt do t'u vijë radha edhe heqjes së ndërtesave që janë pas viteve 90 në territorin ku shtrihet edhe kalaja e Tiranës" pohon Lela, dhe e ka fjalën për një barin ngjitur me kinemanë "Millenium". Ndërsa kinemaja nuk do të lëvizë vendit, pasi "është një banesë shumë e vjetër, e cila vetëm është rikonstruktuar". Po kështu edhe për një ndërtesë që ndodhet në murin e Kalasë.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›