Alimehmeti: Ja pse Erion Veliaj duhet të arrestohej që në dhjetor, si i rrëzon rasti “Trump” sondazhet negative për PD

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ilir Alimehmeti tha se ka nisur puna në terren e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.
Në një lidhje në Edicionin Qendror të Lajmeve në Televizionin Kombëtar, Vizion Plus, të moderuar nga Aleksandër Furxhi, Alimehmeti deklaroi se vota është emëruesi i përbashkët për gjithë kandidatët dhe ka një marrëveshje mes tyre, çka sipas tij nuk do të ndikojë në një krisje të marrëdhënieve.
Sa i përket sondazheve jo në favor të opozitës, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD përmendi zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku rezultati ishte ndryshe nga sondazhet.
Ilir Alimehmeti tha se arrestimi i Veliajt është bërë shumë vonë. Ai u shpreh se kryebashkiaku i Tiranës duhet të dënohet në masën e duhur dhe në kohën e duhur.
Intervista e plotë:
A jeni të kënaqur se si po organizohen primaret brenda Partisë Demokratike?
Alimehmeti: Primaret janë procesi jonë, ku ne zgjedhim kandidatët. Çdo proces ka kohën e vet, mekanizmat e vet, që disa prej tyre rregullohen edhe rrugës. Është një eksperiencë e re në këtë drejtim. Duke e parë siç duhet parë, de fakto ka nisur puna në terren e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Ky është elementi i parë dhe i rëndësishëm. E dyta, këtë PD e bën në dritën e diellit, në sy të gjithëve, ndryshe nga kundërshtari politik, dhe ju e dini se si janë fërkimet aty brenda dhe që ndodhin jashtë syve sepse nuk e kanë atë guxim. Ne i drejtohemi votës, vota do të na përzgjedhë.
Pas primareve do të shkojmë drejt një liste përfundimtare, gjë që e rrudh disi situatën brenda kandidatëve të PD. Ndërkohë, sondazhet nuk janë fort bujare me PD. A po e bëjnë këto rrethana një shqetësim?
Alimehmeti: Aleatët kanë një marrëveshje. Ne gjejmë gjuhën e përbashkët, e tillë është marrëdhënia, vota është emëruesi i përbashkët. Ju më përmendët sondazhet, por sondazhet në SHBA gabuan kur flisnin për një humbje të Trump, por e kundërta ndodhi. Ndërkohë, numri dy i PS sot është i arrestuar. Jemi shumë të qartë se ku po shkojmë. Mos prisni që sondazhet të tregojnë të vërtetën.
Berisha e quan organizatë kriminale, por lavdëroni SPAK-un kur godet kahun e kundërt. Pse besoni se ky qëndrim është i duhuri, ju ndihmon?
Alimehmeti: Është goditur nga SPAK, po. A është goditur mjaftueshëm shpejt? Jo. Ju e dini që këto dosje flinin aty prej vitesh. Drejtësi e plotë nuk është bërë. A është bërë mjaftueshëm? Jo. A mund të kishte ndërhyrë SPAK më përpara? Sigurisht që po. Nesti Angoni, Veliaj e deklaroi në dhjetor. Kishte shkuar, kishte kërkuar sa doli nga SPAK dhe doli që është i rremë. Në sekondë duhet ta kishin arrestuar, nuk duhej të priste 10 shkurtin. Duhet të dënohet në masën e duhur në kohën e duhur. /vizionplus.tv