E Enjte, 5 Nëntor 2026

Aliyev pranon kredencialet e ambasadorit të ri shqiptar: Vizita e Ramës kontribuoi në forcimin e marrëdhënieve mes vendeve

BAKU, 31 tetor /ATSH/- Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë, Besart Kadia, sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Azerbajxhanit.

Ambasadori i dorëzoi letrat kredenciale kreut të shtetit. Presidenti Ilham Aliyev pati një bisedë me ambasadorin.

Duke theksuar zhvillimin e suksesshëm të marrëdhënieve dypalëshe, kreu i shtetit vuri në dukje se vizitat reciproke të presidentëve të Azerbajxhanit dhe Shqipërisë, si dhe vizita e kryeministrit shqiptar në Azerbajxhan, kishin kontribuar në forcimin e këtyre lidhjeve.

Presidenti i Azerbajxhanit theksoi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të marrë pjesë brenda pak ditësh në COP29, duke u shprehur se të gjitha këto tregojnë partneritetin e ngushtë mes dy kombeve.

Duke vënë në dukje se të dy vendet kanë mbështetur gjithmonë njëri-tjetrin në nivel ndërkombëtar, presidenti Ilham Aliyev vlerësoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për pozicionin e Azerbajxhanit në organizatat ndërkombëtare ku vendi nuk përfaqësohet.

Ambasadori Kadia i përcolli kreut të shtetit urimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Presidenti Ilham Aliyev shprehu mirënjohjen e tij për përshëndetjet dhe kërkoi nga Kadia që t’i përcjellë kryeministrin e Shqipërisë përshëndetjet e tij.

Ambasadori Kadia shprehu kënaqësinë e tij për fillimin e detyrës në Azerbajxhan dhe nënvizoi rëndësinë e miqësisë dhe lidhjeve kulturore midis dy vendeve dhe popujve.

Diplomati rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për integritetin territorial të Azerbajxhanit.

Duke theksuar rëndësinë e COP29, ambasadori vuri në dukje admirimin e tij për përgatitjet e Azerbajxhanit për ngjarjen në shkallë të gjerë.

Gjatë bisedës, palët vlerësuan bashkëpunimin ekonomik në fusha si energjia, transporti, tregtia dhe turizmi, duke shprehur optimizëm për forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të ardhmen./ /a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›