Rama: Reformën në Drejtësi e bëri PS, po godet majtas e djathtas

TIRANË, 31 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, i ftuar në një studio televizive, foli për Reformën në Drejtësi, ndërsa u shpreh se ajo që ka bërë Partia Socialiste nën udhëheqjene tij është epokale.
“PS është e para forcë politike në historinë e këtij vendi që ka marrë një vendim dhe ka shprehur vullnetin e plotë që të tërheqë fuqinë e vetë nga territori i drejtësisë dhe me kosto. Se patjetër që ajo drejtësi e çliruar nga fuqia e pushtetit politik do të godasë edhe brenda nesh. Dhe kjo nuk është një kosto e paftuar, por e mirëseardhur për mua, pasi nga pikëpamja organizative e administrative ti mund të bësh gjithçka, por kur vjen puna tek gjykimi për vepra penale ti nuk e bën dot. Për këtë duhet drejtësia e gjykata”, u shpreh Rama.
I pyetur mbi arrestimet brenda radhëve të PS-së, Kryeministri u shpreh se “për këtë e kemi ndërtuar drejtësinë e re”.
“Përgjegjësia ime morale është që drejtësi të mos ndalet, ta ketë të gjithë mbështetjen dhe kushdo që mbulohet me flamurin e PS-së për të bërë çdo lloj zullumi, të zbulohet dhe të dënohet. Unë ndjehem i lehtësuar kur dikush që ka marrë mandat nga PS, besim nga unë për të qëndruar në çdo nivel të ekzekutivit e ka shpërdoruar dhe ekspozohet nga drejtësia”, tha Rama.
Ndaj, Rama tha se për këtë punë është bërë Reforma në Drejtësi dhe se SPAK ka mbështetjen e tij absolute.
“Unë do të isha përgjegjës moralisht para shqiptarëve nëse nuk do të kishte një drejtësi sot që godet majtas e djathtas. Nuk ka bërë vaki kjo në historinë e Shqipërisë”, tha Rama. ndërsa kujtoi se PS ka qenë iniciatore e Reformës në Drejtësi.
“Amerikanët kanë sjellë ‘Noc Rrokun’. Këtu kanë qenë edhe më parë, por këtë gjë e ka sjellë PS me mua në krye. Në fillim fare edhe amerikanët edhe europianët kanë pasur shumë rezerva, ishin mosbesues. Nuk ka pasur njeri më para vullentin tim dhe të kësaj partie për ta ndarë drejtësinë nga pushteti politik. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë merren të pandehur njerëz të lidhur me pushtetin politik, ministra, deputetë, kryetarë bashkis. Këtë kam ëndërruar kur kam thënë: ‘duam një drejtësi të pavarur që të godasë majtas e djathas e të shikojë vetëm para”, tha Rama. /j.p/