E Diel, 1 Nëntor 2026

Alket Rizai, shqiptari që lëvizi rrotat e mafies greke

Në Greqi një fjalë e urtë thotë se, "Vlera e të mundurit i jep lavdi fitimtarit". Mund të thoshim me plot gojë se policia greke tashmë ka vënë në vend nderin e saj të humbur (dy herë radhazi). Në duart e saj ndodhet përsëri shqiptari Alket Rizai, i cili vlerësohet se është një nga personazhet kyçë të botës kriminale të kryeqytetit grek. Por si ka mundur ky 36-vjeçar të bëhet jo vetëm tmerri i forcave speciale të Greqisë, por në radhë të parë tmerri i kriminelëve të natës, i botës së krimit që fshihet pas një metropoli gjigant me rreth 5 milionë banorë, pas një fasade të antikitetit të lashtë e të tingujve të bukur të buzukut në Athinë dhe rrethinat e saj?
"Bëmat" e Alket Rizait i përkasin një periudhe më të hershme që i ka rrënjët te fundi i viteve ‘90. Atëherë kur armët kanë filluar të "flasin" në jetën e natës së Athinës, duke treguar se lufta e bandave ka filluar dhe po zgjohet. Një mëngjes të vitit 2002, Athina zgjohet e tronditur nga tre vrasje ekzekutive, dy tentativa vrasjesh dhe një "paralajmërim" me pesë kilogramë dinamit të cilat janë pjesët e një mozaiku kriminalistik i cili vërteton se krimi i organizuar në kryeqytetin grek po bëhet tepër veprues. Policia greke shpjegon këtë betejë atje thellë në botën e krimit, si një rezultat të pritshëm. Lufta midis bandave të natës është luftë për "zonat e influencës", sidomos në klubet e natës, të cilat kishin dhënë mbrojtje, për trafikun e drogës dhe për trafikimin e femrave. Ndërkohë që kjo luftë vinte e zbehej dhe krerët e këtyre bandave eliminoheshin të ekzekutuar me gjakftohtësi me dhjetëra plumba kallashnikovi në trup, krerët e Rendit alarmohen për krijimin e së ashtuquajturës "kastë" të vrasësve me pagesë. Flasin për shqiptarë, rusë, kosovarë, persona me aftësi kriminale të cilët zbatonin për një shumë të majme kontratat e vdekjes. Alket Rizai është ai që sipas tyre, është njeriun kyç, i cili di shumë dhe fsheh shumë nga violenca e natës, nga ekzekutimet dhe gjithçka që ka ngjyrën e natës. Në rrethin vicioz, ku ai fshihej, qarkullonin edhe emrat e Vasilis Stefanakos apo Sprios Dravila, të ashtuquajturit "kapo" të botës së krimit në Athinë.

Por si u bë "publik" emri i Alket Rizait?
Mediat greke i kanë dhënë epitetin e kryetarit të një grupi mafioz që rrëmben persona dhe i vriste qysh në vitin 2003, kur ai për rreth një muaj e gjysmë, u përpoq t‘i shpëtonte policisë greke. Ishte viti kur Rizai akuzohet për vrasjen e një të riu grek, elektricistit Athanas Koropioti për t‘i marrë të dashurën këtij të fundit, një vajzë nga Rusia. I rrethuar nga 25 policë të forcave speciale në një ditë të prillit të 2003-shit në shtëpinë e një shqiptari tjetër, miku i tij, i quajtur Elvis Mullishi, i ka kërcënuar policët se do t‘u hidhte bomba. Më pas u përgjigj me kallashnikov, por pasi e pa se nuk mund të ikte, u dorëzua. Prej atëherë akuzohet përveç vrasjes dhe trafikut të drogës edhe për ndihmën që i ka dhënë një të shumëkërkuari për t‘u arratisur. Pas dy arratisjeve spektakolare me helikopter dhe disa vrasjeve enigmë të disa kapove të botës së krimit, të cilat nuk patën kurrë autor, mbi të rëndojnë edhe akuza të tjera për vrasje. Por ai vetë nuk ka pranuar asgjë.

Kush është Alket Rizai?
Në rrethin e tij e thërrasin "Alki". Shumë janë ata që thonë se lehtësisht do të ngrinte pistoletën e tij për të qëlluar këdo nëse kështu do të vendoste. Duke njohur karakterin e tij, keqbërësi grek Vasilis Stefanakos kërkon ta përdorë për ekzekutimin e rivaleve të tij. Prandaj paguan dhe organizon arratisjen e parë me helikopter për të si dhe për të shumëkërkuarin grek Vasilis Paleokostas, duke u prezantuar para kapove të botës së krimit, se ishte ai mbi të gjithë. Ka qenë vetë ky "mbret" i botës se krimit, i cili i ka dhënë Rizait "Mercedesin" e tij, apo e ka urdhëruar të ndryshojë ngjyrën e flokëve si dhe të bëjë një operacion plastik për heqjen e dy nishaneve dhe ndryshimin e hundës, në mënyrë që mos të njihej kurrë. Shumë prej personave të natës në Athinë kur dëgjuan arratisjen e parë të tij deklaruan: "Ai është për t‘ia pasur frikën". Por nga ana tjetër, policët grekë, që kanë qenë pranë tij, janë mahnitur me aftësinë për të folur gjuhët e huaja. Flet shkëlqyer katër gjuhë. Veç shqipes dhe greqishtes, ai flet spanjisht, italisht, rusisht dhe serbisht. Qysh në moshën 20 vjeç, në vitin 1990, ishte nga të parët që ka sjellë heroinë në Greqi dhe më pas kokainë. Më vonë është bërë i njohur për veprimtarinë e tij në qendrat e natës, deri sa ka marrë edhe titullin "metr" i kontratave të vdekjes, brenda apo jashtë hekurave të burgut. Dizavantazhi i tij thonë ata që e njohin, është se do të tregojë veten. Do që të jetë i veçanti. Gjithashtu nuk e vlerëson rrezikun sa duhet. Rizai ndoshta është me të vërtetë ai që mediat greke e cilësojnë si një nga kriminelët më të regjur shqiptarë. Ndoshta është vrasësi më i regjur me pagesë. Madje hidhen edhe hipoteza se ka lidhje me organizatat terroriste që veprojnë vitet e fundit në Greqi. Por ndoshta është edhe viktimë, që ra në kurthin e botës së krimit qysh në moshë të re dhe nuk mundi të dilte më.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›