E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alketa Vejsiu rikthehet në Klan

SHKRUAN: Ilda Lumani 20-08-2011 11:02

Programet popullor në botë “X Factor Albania” dhe "The Voice Of Albania" në sezonin e ri televiziv

Emisionet ku zbulohen talentet janë më popullorët në gjithë botën. E njëjta gjë është vënë re edhe në Shqipëri, kur për herë të parë u mbajt edicioni i “Ethet e së premtes mbrëma”, që vazhdoi rrugëtimin e vet plot sukses në disa vite me radhë. Terreni i pa eksploruar në këtë drejtim në Shqipëri e më tej Kosovë e Maqedoni, ofronte jo pak risi dhe i dha skenës shqiptare emra që vazhdojnë sot me merita rrugën e këngës. Mjafton të përmendim këtu që nga Anjeza Shahini, Arbër Arapi, Vesa Luma, Teuta Kurti, Rona Nishliu, Rosela Gjylbegu, Samanta Karavello, Elvana Gjata, Luiz Ejlli, Erti Hizmo, Flaka Krelani e shumë të tjerë, që janë bërë këngëtarët që dominojnë sot tregun muzikor. Pas “Etheve” u përpoqën ta bënin këtë disa programe të cilët edhe pse nuk e patën të njëjtën vëmendje gjithsesi arritën që tek-tuk të lançonin ndonjë talent të ri. Por tashmë në Shqipëri në këtë sezon të ri televiziv do të startojnë në dy prej televizioneve më të mëdhenj në vend, në Top Channel dhe Tv Klan, emisionet botërorë “X Factor Albania” dhe "The Voice Of Albania"

“X Factor Albania” nga Alketa

Për herë të parë do të vijë në ekranet shqiptare jo thjesht si prezantuese por edhe si producente. Alketa Vejsiu, prezantuesja e mirënjohur, ka blerë të drejtat për realizimin e spektaklit të famshëm “X-Factor” edhe në Shqipëri. Spektakli i talenteve do të transmetohet ekskluzivisht në televizionin Klan së shpejti. Spektakli vjen me të gjitha të drejtat e transmetimit, posaçërisht për Tv Klan, pas një konkurrimi që u zhvillua nga kompania ndërkombëtare “FremantleMedia”, e cila ka të drejtën e dhënies së lejeve për vende të ndryshme të botës të “X-Factor” dhe disa spektakleve te tjera. “The X Factor” për herë të parë nisi në vitin 2001 në Britaninë e Madhe dhe pati një popullaritet të madh edhe jashtë vendit, përfshirë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “X-Factor”, pas popullaritetit që gëzoi në Angli, u përhap shpejt me edicione të veçanta edhe në shumë vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky program rikthen në ekranin e Klanit Alketën, e cila u largua prej këtij televizioni pas sukseseve të mjaft programeve të prezantuar nga ajo. Karriera në televizionin Klan për Alketën zuri fill që në vitin 2003 me superprodhimin “Gjeniu i Vogël”, që vendosi në garë fëmijët e të gjitha trevave shqiptare. Një program ky që synonte zbulimin e talenteve të reja, që në origjinë. Një vit më vonë ajo u shfaq në Klan si prezantuese dhe bashkëskenariste në serialin “100 këngët e Shekullit”, një serial unikal që risolli perlat ndër vite të muzikës shqiptare, e që nderoi me çmime dhe trofe emra të paharruar të artit në vite. Për disa vite Alketa ka qenë pjesë e stafit organizativ të përzgjedhjes së Misseve dhe Mister-ave në garën e Miss dhe Mr. Albania. Ndërsa në po të njëjtin vit, shënohet dalja e parë e saj në Pallatin e Kongreseve si prezantuese, në Miss dhe Mr. Albania 2004. Viti 2006 do të sillte projektin më të rëndësishëm të karrierës së saj deri në atë vit, me regjisoren Vera Grabocka. Një realizim ndërkombëtar i Festivalit të Klipit Europian, “ Euro Video Grand Prix “. Një prezantim në gjuhën angleze në 3 orë transmetim europian, ndjekur nga 200 milionë shikues. Salla e Pallatit të Kongreseve do të ishte gjithashtu për të në drejtimin e Mbrëmjes Gala “Dua më Shumë Shqipërinë” përkrah aktorit të madh të Kinematografisë Shqiptare, Timo Flloko me pjesëmarrjen spektakolare të aktorit holliwoodian Jim Belushi. Pas një pauze afro 1-vjeçare, martesës dhe lindjes së vajzës së saj Nicol, Alketa iu rikthye spektakleve televizive me serialin “Më Shumë dashuri”, një program që rrëmbeu zemrat e shikuesve për mesazhet dhe historitë prekëse njerëzore që trajtonte. Bashkautore në këtë program përkrah producentes Vera Grabocka, Vejsiu shënoi një tjetër sukses në Tv Klan. Pas largimit në Vizion Plus me “Dancing with the Stars”, Alketa rivjen sërish në Klan, me një program të së njëjtës origjinë, zbulimit të talenteve, ashtu sikurse ndodhi me Gjeniun e Vogël. Por këtë herë me një patentë ndërkombëtare, dhe ku talentet nuk do të jenë fëmijë! “X-Factory” e sjell në ekran Alketën tashmë si nënë e dy fëmijëve. Këtë fillim verë ajo u bë edhe me një dajlë, i cili quhet Lionel!

“The Voice Of Albania”

Formati që do të konkurrojë “X-Factory” në Top Channel është talent show “The voice of Albania”. Një konkurs i ndarë në tri faza. E para është ajo e audicionit, e cila edhe ka nisur dhe që ka mbledhur njerëz nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Target mosha e konkurrentëve janë 16-35 vjeç. Pas kësaj faze kalohet në një më interesante, që është ajo ku shfaqet juria. Në këtë konkurs juria bëhet pjesë e garës. Do të jenë 4 emra të njohur të muzikës shqiptare, të cilët nuk do t’i shikojnë konkurrentët teksa performojnë, por do të përqendrohen vetëm te zëri I tyre. Pas përzgjedhjes së kësaj faze, anëtarët e jurisë do të jenë profesorët që do të punojnë me këta të rinj për të zgjedhur më tej më të mirin vokal shqiptar. Edhe pse autorët e kanë përzgjedhur prezantuesin e spektaklit, ende nuk kanë vendosur ta bëjnë të ditur, në mënyrë që gjithçka të përqendrohet tek audicioni në këtë fazë dhe te pjesëmarrja e konkurrentëve, sesa te spektakli. Fituesi i “The voice of Albania” do të dalë nga votat e publikut dhe gjithë performancat e këngëtarëve të rinj do të jenë live dhe të shoqëruara nga një orkestër.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›