E Shtunë, 31 Tetor 2026

Allen Ti kalojme protestat per Kuranin

Komandanti i NATO-s në Afganistan, gjenerali John Allen ka deklaruar se protestat e fundit të shkaktuara nga djegia e Kuranit nga ushtarët amerikanë kanë qenë një “pengesë”.

Gjenerali Allen ka thënë se bashkëpunimi i misionit të NATO-s me shërbimet afgane të sigurisë do të vazhdojë. Protestat kanë shkaktuar 30 të vdekur, mes të cilëve 4 ushtarë amerikanë.

Allen ka nënvizuar se është i gatshëm të futet i çarmatosur në selinë e Ministrisë së Brendshme afgane, ku dy këshilltarë ushtarakë të NATO-s u qëlluan për vdekje ditën e shtunë.

Vrasësi i tyre dyshohet se ka qenë një oficer i policisë sekrete afgane. Gjenerali Allen ka shtuar se reagimi i afganëve pas djegies së librit të shenjtë nuk ishte një surprizë për të.

Personeli amerikan e vendosi Kuranin, që sipas mediave u ishte konfiskuar disa terroristëve, në një pirg mbeturinash që digjeshin në bazën ajrore të Bagramit, në afërsi të Kabulit.

Myslimanët e konsiderojnë Kuranin si fjalën e Zotit dhe trajtojnë çdo kopje të tij me respektin maksimal.

“Ne duhet ta kuptojmë domethënien e besimit të madh të Islamit për këta njerëz dhe duhet ta marrim parasysh atë. Por ajo që ndodhi nuk i zhbën marrëdhëniet tona”, ka deklaruar Allen.

Deklaratat e gjeneralit janë pasuar nga ato të ambasadorit amerikan në Afganistan, Ryan Crocker, i cili ka thënë për BBC se nuk ka pasur “prishje të përhershme” të marrëdhënieve me Afganistanin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›