E Diel, 1 Nëntor 2026

Allen nuk heq dorë nga filmi

Po shfaqet me sukses në Los Anxhelos opera puçiniane “Gianni Schichi” me regji të Woody Allen. Në rol kryesor tenori Saimir Pirgu

Që kur i hyri asaj aventure, pati thënë: “As vetë nuk e di se ç’po bëj”. Kjo ishte ndiesia që e shoqëroi edhe pas përfundimit të premierës, kur i “trembur” nuk doli të përshëndetej me publikun. Një fakt që nuk mbeti pa u komentuar nga të gjitha mediat botërore që ndoqën të parën regji opere, të realizuar nga regjisori Woody Allen. Prej datës 7 shtator, në një nga skenat më të mëdha operistike në Los Anxhelos, drejtuar nga tenori Placido Domingo, po shfaqet Triptiku i Giacomo Puccinit. Një prej tri episodeve është “Gianni Schichi”, të cilën e mori përsipër për ta vënë në skenë regjisori i njohur i kinemasë amerikane dhe botërore, 73-vjeçari, Woody Allen.

Allen duket se i ka qëndruar besnik dashurisë së vjetër, filmit. Sipas kritikës dhe shtypit të huaj, shfaqja të jepte përshtypjen e një filmi bardhë e zi, të viteve ’50. Regjisori ka luajtur me kontrastin dhe humorin. Duke iu përmbajtur qëllimit fillestar të vetë kompozitorit, varianti i Allenit ka shkulur gazit spektatorët, nga fillimi deri në fund. Kësaj ideje i ka shërbyer më së miri edhe loja e këngëtarëve, të transformuar në gangsterë e mafiozë me baseta të gjata. Për të interpretuar rolin e djaloshit të dashuruar, Runnucio, Alleni zgjodhi tenorin shqiptar, Saimir Pirgu, për të cilin ishte hera e parë që interpretonte në një skenë amerikane. Pirgu prej vitesh jeton në Itali, ndërsa interpreton në skenat më të mëdha operistike evropiane. Debutimi “amerikan” ndodhi pikërisht në përvjetorin e vdekjes së tenorit Luciano Pavarotti, që në një farë mënyre ishte kumbari i tij. “Nuk më duket sikur nuk është më mes nesh, pasi ende dëgjoj këshillat dhe zërin e tij tek më thoshte “Bravo bullafiq!”. Për mua është gjithnjë i pranishëm”, - është shprehur për gazetat italiane, tenori shqiptar, i cili është komentuar si një i ri plot talent. Duket se Pirgu është një djalë me fat, pasi emri i tij do të mbetet në histori, si tenori që ka luajtur në të parën opera të drejtuar nga Woody Allen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›