E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alo? Më jep 6 karta rimbushëse për 2 mijë euro!

MASHTRIMI/ Një shtetase nga qyteti i Rrëshenit ka rënë pre e mashtruesve, të cilët përfituan 6 mijë lekë prej saj

MIRDITË - Një banore e Rrëshenit ka rënë dje pre e mashtruesve telefonike, teksa e kanë bindur të blejë për llogari të tyre plot 6 karta rimbushëse dhe oferta të rritej më tej. Mashtruesit e kanë telefonuar në telefonin fiks në shtëpi pasi aty nuk do të shfaqeshin dhe numrat e tyre celularë. Rasti ndodhi në lagjen “Kolsh” të Rrëshenit kur në numrin 0216 2461 ka rënë një zile telefoni duke i njoftuar poseduesit se ky numër ishte përzgjedhur si fitues në një lojë të zhvilluar nga një kompani dixhitale, dhe ku, sipas tij, kjo familje do të jetë përfituese e një aparature me 1 vit mbushje dhe një shumë prej 2 mijë eurosh. Zëri matanë telefonit ka thënë se për të konfirmuar fitoren do ta telefononte vetë drejtori i kompanisë. Dhe pikërisht pas pesë minutash një zë tjetër është prezantuar si drejtori, dhe pasi e ka uruar fituesen, i ka thënë se të nesërmen duhej të paraqitej me pasaportë në dorë për të tërhequr shumën e eurove të fituara. Por pikërisht para se të shpallej përfundimisht fituese, ajo duhej të blente 6 karta rimbushëse celulari dhe t’i deklaronte numrat në telefonin që i fliste. Duke i besuar kësaj “loje”, qytetarja ka blerë menjëherë 6 kartat dhe ua ka dhënë numrat sipas porosisë. Suksesi për grackën e ngritur ka bërë që mashtruesit të vazhdonin akoma më tej lojën duke i thënë “fitueses” se pas kësaj shuma mund të rritej me 1100 euro të tjera nëse ajo blinte dhe 10 karta rimbushëse dhe t’u jepte numrat. Por kjo rritje e beftë ka bërë që shtetasja “të vinte në vete” dhe të dyshonte. Ajo ka marrë menjëherë në telefon agjencinë ku i thanë se duhet të tërhiqte paratë dhe ata i konfirmuan se kishte rënë pre e një mashtrimi. Në këto kushte, gruaja i telefonoi shërbimit të klientit pranë kompanisë celulare, të cilëve, pasi u dha numrat e kartave rimbushëse, u mori numrat e telefonave që ishin rimbushur me to. Në përpjekje për t’u lidhur me dy shtetasit që e kishin marrë në telefon, M.P. konfirmoi se dikush tjetër e kishte marrë në telefon dhe e kishte siguruar për “fitoren” e saj. Më pas ajo i është drejtuar policisë për të denoncuar mashtrimin e kryer. Mashtrimi me kartat rimbushëse është kthyer në një “lojë argëtuese” për shumë persona, të cilët kanë përfituar mjaftueshëm nga ata që nuk kanë qenë të vëmendshëm kundrejt paralajmërimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›