Ngjela: E djathta, poli i ri është gati
TIRANË- “Poli i ri brenda të djathtës është gati”. Kështu ka deklaruar dje për “Shekulli”-n, deputeti Spartak Ngjela, i cili pritet të jetë edhe kreu i partisë më të re “Ligj dhe Drejtësi”. Në këtë mënyrë, grupimet brenda së djathtës kanë filluar qartazi të duken, duke marrë formën e një konfigurimi të ri, pjesë e së cilës do të jenë edhe ato forca politike, që nuk duan bashkëpunimin me PD-në. Ky pol i ri përfshin në vetvete ato parti, të cilat kanë dhe ndajnë të njëjtat pikëpamje midis tyre. “Këto ditë del partia “Ligj dhe Drejtësi”. Unë mendoj se tri-katër parti, por edhe më shumë, kanë shansin dhe mundësinë që të grupohen për të krijuar një pol të ri djathtas, pra në qendrën e djathtë. Ky grupim do të ketë një strukturë të rregullt përballë zgjedhjeve të ardhshme. Dhe, çfarë është më kryesorja, ky grupim do të jetë në një raport të drejtë me ligjin e ri elektoral”,- është shprehur Ngjela. Por, pjesë e të ashtuquajturës e djathta e re, nuk do të jenë vetëm parti si PDK-ja dhe LZHK-ja, por edhe individë të pavarur të djathtë, intelektualë dhe akademikë. “Në parim, ne kemi rënë dakord se do të krijojmë një pol të djathtë. Janë një sërë forcash politike dhe një serë shtresash intelektuale, të cilëve u kemi bërë thirrje dhe mendoj se shumë shpejt do ta kristalizojmë një pol të ri të qendrës së djathtë,”- tha Ngjela. Duke mos e konsideruar si një lëvizje kundër Kryeministrit Sali Berisha, Ngjela sqaron se ky pol i ri është një zbatues i parimeve të djathta, atë që në fakt Berisha nuk e ka bërë në qeverisjen tij. “Nuk është çështja kundër apo pro Berishës, por problemi është që programi ynë nuk ka lidhje fare me programin e qeverisë aktuale. Sotka një qeveri “Berisha” që ka dalë nga rrjedha e një qendre të djathtë dhe që në të vërtetë është një qendër e majtë. Pra, është filozofia dhe botëkuptimi që na ndan”,- tha Ngjela. Deri më tani, pjesë e këtij koalicioni të djathtë pritet të jenë partia që do të kryesojë Spartak Ngjela “Ligj dhe Drejtësi”, Partia Demokristiane e Nard Ndokës, si dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit. Drejtuesit e këtyre tri partive e kanë shprehur prej kohësh se ka ardhur koha për një rigrupim të së djathtës, ku të zbatohen pikërisht politikat e së djathtës, nga të cilat, Kryeministri Sali Berisha, bashkë me qeverisjen e tij, ka devijuar jo pak gjatë këtyre tre viteve.