Alternativat jo-diplomatike të qasjes ndaj Iranit
Një diplomat i lartë rus, duke vënë karshi njëra-tjetrës Korenë Veriore me Iranin, njëherë më pati thënë: “Koreanoveriorët janë sikur fëmijët e lagjes në lojëra. Janë iranianët atyre që duhet pasur drojën”. Se a do të jenë të suksesshme bisedimet ndërmjet “P5+1” (pesë anëtarët e përhershëm të Kombeve të Bashkuara dhe Gjermania) dhe Iranit, të mbajtura në Stamboll më 14 prill, do të rifillojnë më 23 maj në Bagdad, ende ka shumë paqartësi. Paratë me shumë siguri mund të vihen bast në favor të dështimit. Por ata që kanë pak besim duhet ta kuptojnë një pikë themelore, deri diku bishtnuese, për negociata të tilla: ato zhvillohen për dy qëllime. Afërmendsh, qëllimi i parë është të bindet Irani që të zbatojë pikëpamjen e shumicës së vendeve të tjera. Por negociatat gjithashtu duhet të demonstrojnë se gjithçka që mund të bëhet në fakt është bërë përpara se të konsiderohen hapat e mëtejshëm – veçanërisht vendimi me rrezik të lartë dhe mashtrues për të kryer aksion ushtarak. Masat ushtarake kërkojnë një pranim në shkallë të gjerë pranimi ndërkombëtar, dhe ky kusht mund të arrihet vetëm në një kontekst të përpjekjeve diplomatike qëllimmira. Diplomacia efektive nuk është vetëm punë substance; është gjithashtu punë kohe dhe sekuence. Ata që përkrahin një zgjidhje ushtarake për problemin e aspiratave bërthamore të Iranit, pa mbështetur fillimisht masat diplomatike dhe ekonomike të llojit që po zbatohen së fundit kundër eksporteve të Iranit, e kanë huqur qëllimin. Shumë pak liderë seriozë sot janë në mbështetje të opsionit të luftës. Ata që ia kanë dalë vetëm sa kanë rritur çmimin e naftës, derisa tregjet i druajnë efekteve të mundshme të aksionit ushtarak në rajon, si kundërpërgjigje ndaj reaksioneve të Iranit.
Ka pasur edhe një qasje tjetër për diplomaci me proces të shpejtë me Iranin: Izraeli, që do të ishte brenda rrezeve të raketave bërthamore të Iranit, dhe kështu është në mesin e më të rrezikuarve në këtë prospekt. Të jesh i gatshëm të luftosh deri në izraelitin e fundit është një çështje e njohur për ata që nuk duan të marrin rreziqe mbi shpatullat e veta. Por ta inkurajosh Izraelin të bëjë atë që të tjerët me kapacitete larg më të përgatitura nuk janë të gatshëm të bëjnë, është të presësh një punë të madhe të një vendi të vogël në Lindjen e Mesme me shumë probleme të mëdha me fqinjët. Izraeli, mbi të gjitha, ka shikuar zhvillimet politike në Egjipt pa shpresa, por më shumë me alarm në rritje. Gjithashtu izraelitët e shohin më me qartësi se shumëkush tjetër në botë natyrën e regjimit të mundshëm pasues në Siri (vini re: me siguri se nuk do të jetë i përbërë ekskluzivisht nga përdorues të Facebookut dhe Twitterit). Derisa është e vërtetë se shumë shtete arabe i druhen ditë e natë një Irani bërthamor. Ata nuk janë të vetmit që nuk mbështesin një ndërhyrje ushtarake të Izraelit. Në fund të fundit, kjo është Lindja e Mesme, ku, siç e thotë edhe një shaka e vjetër, akrepi e pickon devenë derisa ajo e bart matanë Kanalit të Suezit, duke e ditur se të dy bashkë do të fundoseshin. Lufta është një mjet serioz drejt fundeve serioze, si e ka hetuar Carl von Clausewitz para pothuajse dyqind vjetësh. Shtetet që e kanë vuajtur vetë e dinë më mirë se shumë të tjerë efektet e dhimbshme në gjeneratat pasuese. Natyra njerëzore e kërkon para së gjithash të shohë pasojat e paqëllimshme. Të kërkosh që të ketë ndërhyrje ushtarake, jo vetëm që kërkoni mbështetje të shteteve që kanë bërë përpjekje të gjata për zgjidhje diplomatike, por përfshirje të njerëzve që do ta vuajnë atë. Kohëzgjatja e duhur e hapave në lidhje me marrjen me vende në telashe është themelore për të marrë mbështetjen ndërkombëtare për aksion të mëtejshëm. Fushata ajrore e viteve të fundit në thyerjen e Slobodan Milosheviqit në Kosovë (dhe pastaj për thyerjen e tij në Serbi) ishte bërë e mundshme nëpërmjet diplomacisë së ngadalshme të Shteteve të Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Rusisë. Askush atëbotë nuk ishte munduar të thoshte se paqes nuk i ishte dhënë një mundësi, që do të thotë se advokimi i një fundi të shpejtë të diplomacisë nuk mund të sjellë sukses, është shpeshherë një gabim. Shumë shtete ka mundësi të mos mbështesin një zgjidhje ushtarake derisa nuk kanë bërë përpjekje të gjata me mjete të tjera të bindjes (dhe shtrëngimit) të dështuar. Madje edhe nëse nuk përgatitet ndonjë opsion ushtarak për të ardhmen, negociatat mund të japin përfitime të tjera. Në prag të fillimit të bisedimeve gjashtëpalëshe për çarmatosjen e Koresë Veriore, shumë sondazhe në Korenë Jugore tregonin se një përqindje e konsiderueshme e qytetarëve atje e fajësonin SHBA-në për kërcënimin bërthamor koreanoverior. Derisa procesi gjashtëpalësh nuk ka arritur t’u japë fund kërcënimeve, ai faktikisht i ka eliminuar përpjekjet për ta fajësuar SHBA-në si shkaktare. Aspiratat bërthamore të Iranit paraqesin problem, saqë po qe se nuk zgjidhen, atëherë do ta eskalojnë gjendjen, derisa shtetet si Arabia Saudite, Turqia, SHBA-ja dhe Izraeli janë duke rishikuar opsionet. Por, këto opsione do të bëhen më të qarta dhe më të qëndrueshme, po qe se shtegu diplomatik shfrytëzohet me kujdes fillimisht.
Autori, aktualisht dekan i Departamentit për Studime Ndërkombëtare në Universitetin e Denverit, ishte negociatori kryesor për Marrëveshjet e Dejtonit dhe kryetar i delegacionit të SHBA-së në bisedimet gjashtëpalëshe rreth programit bërthamor të Koresë Veriore. Shkrimi është botuar së pari në rrjetin e gazetarisë botërore “Project Sindycate”