E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburgu vlerëson presidencën e radhës të Shqipërisë

25-05-2012 / Gazeta 55

Sekretari i përgjithshëm i KiE-së, Jagland ka ftuar klasën politike që të angazhohet në një proces parlamentar, i cili do të garantojë zgjedhjen e presidentit të ri, sipas frymës së Kushtetutës

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto takoi dje sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Thorbjon Jagland, ku u diskutua pikërisht për Presidencën e KiE-së.
Pas takimit që patën mes tyre, Haxhinasto dhe Jagland dolën një konferencë të përbashkët për shtyp, ku nënvizuan pikërisht domosdoshmërinë e plotësimit të detyrimeve gjatë këtij mandati të kryesimit të presidencës. Madje, në këtë kontekst, vetë ministri jaxhinasto garantoi se Shqipëria gjatë presidencës së KiE-së do të realizojë detyrat e saj. Gjithashtu, sipas tij, gjatë këtij mandati vendi ynë do të ndikojë dhe më tej në bashkëpunimin Kosovës me vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, duke dhënë ndihmesë në proceset integruese të saj.  
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Jagland, pasi u njoh në takimin që zhvilloi me Haxhinaston për axhendën që ka përgatitur Shqipëria gjatë kryesimit të KiE-së, e vlerësoi maksimalisht atë. Njëkohësisht, përgëzoi dhe vlerësoi reformat për të drejtat e njeriut.
Ndërkohë që një tjetër mesazh mjaft i rëndësishëm për klasën politike ishte dhe ai për zgjedhjen e Presidentit, ku sipas Jagland, për zgjedhjen e tij palët duhet të jenë bashkëpunuese. “Shqipëria është e angazhuar në realizimin e detyrave në KiE. Besoj mbështetjen e Shqipërisë për reformimin e KiE, sidomos për të drejtat e njeriut. Shpresoj që 6 muajt e ardhshëm do të jenë të rëndësishëm për Shqipërinë. Shpresoj që kreu i shtetit të zgjidhet në mënyrë bashkëpunuese dhe që të dalë nga një procedurë transparente. Është tërësisht në dorë të partive politike”, vuri në dukje Jagland.

Topalli: Opozita të reflektojë, bllokimi i reformave do të thotë bojkotim i integrimit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi dje se ecuria e reformave përcakton të ardhmen e vendit, në rrugën e integrimit evropian. Gjatë takimit me sekretarin e Përgjithshëm të KiE, Thorbjorn Jagland, kryeparlamentarja vuri theksin te reformat që janë ndërmarrë pas marrëveshjes së nëntorit në përmbushje të rekomandimeve të BE duke përmendur miratimin e një sërë kodeve të rëndësishme, miratimin e Avokatit të Popullit, ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave, ngritjen e Gjykatës Administrative etj.
Kryetarja Jozefina Topalli dhe Sekretari i Përgjithshëm i KiE u ndalën gjatë takimit edhe tek puna për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare si dhe tek hapja e procedurave për zgjedhjen e Presidentit. “Pas periudhës së vështirë të bojkotit dhe pas marrëveshjes në nëntorit, ka një situatë pozitive në realizimin e reformave. Është bërë një punë e madhe në përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Europian dhe jemi të përkushtuar për të vijuar ritmin e reformave”, u shpreh Topalli.
Ndërsa theksoi se, “uroj që opozita të mos bllokojë reformën zgjedhore, atë parlamentare. Shqiptarët flasin me votë sa herë bllokohet, bojkotohet rruga drejt BE-së nga Edi Rama”.
Sekretari i Përgjithshëm i KiE vlerësoi se Shqipëria ka shënuar shumë hapa pozitiv në drejtim të përmbushjes së kritereve të KE duke dëshmuar seriozitetin e saj në rëndësinë e këtij procesi. “Një tjetër vlerësim po aq të rëndësishëm për Shqipërinë dua ta shpreh edhe për ecurinë e reformave të saj drejt Bashkimit Europian. Po, është bërë një punë shumë e madhe. Parlamenti ka një rol kyç të rëndësishëm në këtë proces dhe më vjen mirë që po shohim progres të gjithanshëm dhe inkurajojmë që Shqipëria të vijojë këtë rrugë pozitive që ka nisur për reformat”, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i KiE, Thorbjorn Jagland.

Nishani – Jagland: Presidenca e KiE, do përmbushim prioritetet
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani gjatë takimit që pati me Sekretarin e Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjørn Jagland e garantoi këtë të fundit që Shqipëria do të punojë fort gjatë kësaj presidence për përmbushjen e prioriteteve që i takojnë Presidencës shqiptare të Këshillit të Europës.
Duke theksuar se ky prioritet i axhendës së Presidencës shqiptare të Këshillit të Evropës janë konsultuar më parë me Kongresin e Autoriteteve Lokale e Rajonale, Ministri Nishani u shpreh se, “Shqipëria do të punojë fort gjatë kësaj presidence për përmbushjen e prioriteteve lidhur me demokracinë lokale e rajonale dhe axhendës së përbashkët evropiane në këtë drejtim. Prioritete të tilla si konsolidimi i demokracisë lokale e rajonale, bashkëpunimi ndërkufitar e ndër rajonal, mbrojtja dhe impakti i të drejtave të njeriut në nivel lokal dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrjen lokale, do të kenë rëndësi të dorës së parë për presidencën shqiptare të Këshillit të Europës”, theksoi Nishani.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, e cilësoi ngjarje historike për Shqipërinë marrjen e presidencës së Këshillit të Evropës, e ndërkohë theksoi se kjo presidencë do të jetë një kontribut i rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Axhenda 6-mujore e presidencës shqiptare të Këshillit të Evropës parashikon veç të tjerash edhe një seri aktivitetesh të rëndësishme që do të zhvillohen në Tiranë me fokus kryesor qeverisjen e mirë në nivel lokal e rajonal.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›