Altin Lala, 3000 euro nga xhepi trajnerit personalNjë terapist italian riktheu në formë mesfushorin shqiptar të Hanoverit. Altini qëndroi pesë muaj larg fushave: “Tani jam gati për betejat e Bundesligës”

Te klubi gjerman Hanover 96 janë të punësuar katër trajnerë, tre fizioterapist dhe një mjek që verifikon parametrat e gjendjes fizike të lojtarëve, por Altin Lala ka paguar 3 mijë euro nga xhepi i tij një trajner personal për t’u rikthyer fizikisht në gjendjen optimale.
Lajmi është publikuar në mediat gjermane, që e kanë shoqëruar edhe me një foto ku paraqitet 33-vjeçari gjatë një seance fizioterapie me mjekun personal në shtëpinë e tij në Gjermani. (“Në sfond duket fotoja e martesës me Viktorian” – shkruan tabloidi popullor gjerman “Bild”).
“Ky lojtar profesionist bën më të vërtetë gjithçka për t’u rikthyer, madje Lala paguan vetë edhe një trajner të posaçëm”, vëren “Bildi”.
Lala qëndroi pesë muaj larg fushave pas operacionit të vështirë në hernien diskale, ndërkohë që të shtunën “festoi” kthimin e tij në bankinë më takimin midis Hanoverit e Borusias së Dortmundit (4-4). Pas tri ndeshjeve me ekipin amator të Hanoverit, shqiptari i vogël kthehet sërish në skenën e madhe të Bundesligës, falë 46-vjeçarit Niko Mucopapa.
“Atë qe bën Niko, nuk mund ta bëj askush tjetër”, - flet plot me pasion Altini. “Ai mund të bëjë me duart e tij mrekulli”.
“Magjistari” Niko është italian, dhe nga zanati është mjek terapist. Mucopapa shkon me një qilim gjimnastikor në shtëpinë e Altinit. Me Lalën, Niko punon në dhomën e ndenjjes së Altinit ose në papafingo. Gjatë tre muajve të kaluar, Lala punonte me trajnerin e tij personal tre deri katër herë në javë me seanca njëorëshe.
“Ai ma ka dhuruar sërish trupin tim. Tani unë jam shumë më mirë se më parë”, - thotë Altini. Mucopapa i stimuloi muskujt, kujdes për lëvizshmërinë edhe treguesit e tjerë fizikë të Lalës. Altini: “Ai ka punuar me të vërtetë mirë”.
Seancat e terapisë Lala i pagoi vetë, një shumë rreth 3 mijë euro. Por ai do t’i marrë sërish paratë nga Hanoveri? Altini shuan çdo dyshim: “Ah, lërë fare këtë! Unë jam thjesht i gëzuar dhe i lehtësuar, që unë jam sërish plotësisht në gjendje të mirë fizike. Jam gati për në fushën e betejës”.
“Bild” shton, se Hanover 96 ka nevojë për lojtarë të tillë si Lala, por fatkeqësisht jo të gjithë janë si ai.
E Merkure, 18 Mars 2009