Altin Rraklli: “Dështimi i Ari Hanit, di vetëm të mbrohet”Flet Altin Rraklli, ish-bomberi i Kombëtares shqiptare. “S’kishim asgjë për të humbur dhe prapë nuk futi sulmues”

Jetmir Halilaj - Altin Rraklli, një nga golashënuesit më të mirë Kombëtares shqiptare, pohon se skuadra jonë ka zhgënjyer në dy ndeshjet e fundit dhe për këtë kritikon trajnerin Ari Han. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-bomberi i kuqezinjve ka vlerësuar me nota pozitive impenjimin e lojtarëve. “Ata dhanë maksimumin dje, pavarësisht se si shkoi loja. Mënyra se si ishte vendosur ekipi dhe formacioni që hodhi në fushë Ari Hani nuk i dhanë mundësi ekipit që të dilte në lojën e tij”, është shprehur ish-futbollisti. 39-vjeçari ka thënë se Ari Han e ka shndërruar Shqipërinë një skuadër totalisht mbrojtëse, çka nuk i ka dhënë mundësi ekipit që të shënojë.
Cili është komenti juaj për ndeshjen e së shtunës?
Një ndeshje e dobët dhe një ekip, që për mendimin tim ishte vendosur gabim në fushë. Megjithatë, nuk duhet t’i ngatërrojmë gjërat: lojtarët dhanë gjithçka në këtë ndeshje. Luajtën me sa mundësi kishin, por vendosja e ekipit dhe skema e zgjedhur e trajnerit nuk e ndihmuan që të dilte në lojën e tij.
Në pesë ndeshjet e fundit, Kombëtarja nuk ka shënuar asnjë gol, ndërsa gjatë gjithë këtij edicioni kemi shënuar vetëm tre gola, dy prej të cilëve i kanë realizuar një mbrojtës dhe një mesfushor...
Ky është problem i trajnerit më tepër, sesa i skuadrës. Këtu i referohem vetëm dy ndeshjeve të fundit. Këto ishin takime që përcaktonin gjithë edicionin. Ne duhet të merrnim sa më shumë pikë dhe kjo nuk bëhet duke menduar vetëm për mbrojtjen. Ari Hani e ka fokusuar gjithë ekipin në mbrojtje. Të jesh i kujdesshëm është tjetër gjë dhe të mendosh vetëm për mbrojtjen është gjithashtu tjetër gjë. Në kohën kur luaja me përfaqësuesen, apo edhe më pas, skuadra jonë ka luajtur edhe me tre sulmues të mirëfilltë. Sigurisht që ka rrezikuar, por po nuk rrezikove, nuk fiton dot dhe nuk mund t’i bësh presion kundërshtarit. Unë nuk e kuptoj seriozisht se çfarë strategjie ka Hani. Pas barazimit me Maltën ne nuk kishim se çfarë të humbnim, por në fushë pashë vetëm një qendërsulmues të mirëfilltë, Salihin. Berisha nuk është i tillë, as Duro. Klodi është lojtar punëtor dhe e ndihmon ekipin në çdo repart, por nuk mund t’i kërkosh të bëjë rolin e sulmuesit. Cana ishte spostuar në qendër, duke lënë gjithashtu hapësira në mesfushë. Duket qartë që Hani edhe këtë herë mendoi më shumë për mbrojtjen, sesa për sulmin, ndaj edhe e paguam.
A është i dështuar ky edicion për Kombëtaren?
Unë nuk e di se çfarë objektivash ka pasur skuadra dhe trajneri në këto eliminatore, sepse ato asnjëherë nuk i kanë thënë apo deklaruar hapur, por nëse i referoheni faktit që nuk e lëmë dot pas Hungarinë, atëherë mund të them se në këtë edicion dolëm jashtë objektivave.
Ari Hani la jashtë Bogdanin dhe Kapllanin për këto dy ndeshje, a mendoni se ka vepruar mirë?
Gabim trashanik, për mendimin tim. Unë nuk mund të ul vlerat e asnjë prej sulmuesve që janë grumbulluar këtë herë, por një lojtar si Bogdani ta mban skuadrën para dhe krijon panik te kundërshtarët. Kapllani gjithashtu mund t’i kishte shërbyer skuadrës në këtë ndeshje. Edicionin e kaluar ai u shpall golashënuesi më i mirë dhe në sfida si këto, ai di të japë më të mirën. Unë mendoj se trajneri Han gaboi edhe në këtë aspekt.
Një parashikim për ndeshjen me Danimarkën?
Mungesa e Canës është shumë e rëndësishme. Aty ka lojtarë që mund ta zëvendësojnë, por gjithsesi ai është një lojtar lider. Me këtë moral që është skuadra, nuk mund të them gjë tjetër veçse: Zoti qoftë me ne!
11 gola ka shënuar Altin Rraklli në 63 ndeshje që ka luajtur me fanellën e përfaqësueses shqiptare. Sulmuesi kavajas shquhej për teknikë dhe shpejtësi.
E Hene, 30 Mars 2009