“Amadeus”, sfida e regjisorit Basha
Wolfgang Amadeus Moxart, njeriu, muzika, çmenduria dhe vrasja e kompozitorit do të rrëfehen në sallën e Teatrit Kombëtar në dramën “Amadeus”, e dramaturgut Peter Schaffer. Një dramë, që regjisori Altin Basha e sjell premierë në Teatrin Kombëtar, si një projekt ambicioz dhe serioz, që do të ishte në nderin e çdo teatri serioz për të vënë në skenë pjesë të një rëndësie të veçantë si “Amadeus”. “Ky produksion nuk është ambicioz vetëm për faktin se kemi të bëjmë me një autor të madh por, veçanërisht, sepse rrallë në një pjesë teatri gjenden të trajtuara me aq mjeshtëri dhe fuqi probleme universale, si marrëdhënia e talentit dhe mediokritetit, vendi i artistit në shoqëri, çështje të madhështisë së operës dhe vlerës së muzikës në historinë e njerëzimit”, - shprehet regjisori Altin Basha. Për regjisorin, pasuria gjuhësore, karakteret e skalitura, dramaciteti i fortë, struktura dramatike, natyra “brehtiane” e bëjnë ‘Amadeus”-in një sfide joshëse për çdo artist. E përkthyer nga Rovena Vyshka, drama “Amadeus” do të ngjisë në skenë në rolin e Salierit, Fatos Selën, në rolin e Moxartit, Marin Orhanasin; Eni Jani do të vijë si Kostanca, Romir Zalla si Venticello 1, dhe Gazmend Paja si Venticello 2 etj. Në skenë, regjisori Altin Basha rikthen dhe aktorë të njohur si Ahmet Pasha, që vjen në rolin e Van Suitën, si dhe Vangjel Toçen në rolin e Rozenbergut. Edhe pse ishte përfolur se kjo premierë në Teatrin Kombëtar do të rikthente në skenë aktorin Ndriçim Xhepa, në listën e aktorëve protagonistë që është bërë publike nga regjisori Basha, emri i Xhepës nuk figuron për arsye që ndoshta do t’i bëjë publike vetë regjisori në konferencën e sotme për shtypin. Skena dhe kostumet janë përgatitur nga Iliriana Basha, ndërkohë që në role të tjera do të ngjiten në skenë dhe aktorët Mërkur Bozgo (Van Strak), Suela Bako (Tereza Salieri), Gjergj Mena (Jozefi II), Markela Dede (Katerina Kavalieri) dhe Harrila Vjerro (Shërbëtori i Salierit).Vepra tregon historinë e Ëolfgang Amadeus Moxartit dhe kompozitorit të oborrit, Antonio Salieri, i cili i mbytur nga xhelozia e dëgjimit të “Zërit të Zotit” në formën e një “fëmije të pështirë”, vendos ta shkatërroje rivalin e tij. Kur shfaqja u dha në Broadëay në 1981-in, fitoi çmimin “Tony Aëard” si pjesa më e mirë. Pas këmbënguljes së regjisorit Milos Forman, “Amadeus” u adoptua si një skenar filmi, duke u kthyer në një nga realizimet më të mira të historisë së kinemasë botërore. “Amadeus” i dha Peter Schaffer “Globin e Artë” dhe “Oscar”-in për adoptimin më të mirë. Që prej premierës së parë vepra është vënë nga teatrot më prestigjiozë të botës në Gjermani, Spanjë, Turqi, Itali, Amerikë e së fundmi edhe në Tiranë. Peter Shafer është emëruar “Kalorës” në vitin 2001 nga Mbretëresha e Anglisë dhe punon profesor i teatrit bashkëkohor në Universitetin e Oksfordit. Ai mbetet edhe sot një nga dramaturgët më të njohur të dramës bashkëkohore angleze. Që prej vitit 1963, vit kur u themelua Teatri Kombëtar Anglez, veprat dramatike të Peter Shafer janë pjesë e pandarë e repertorit. Ato janë nga më të ndjekurat edhe në Broadëay, ku “Amadeus” dha më shumë se 1000 shfaqje. Me prezantimin e saj të parë në Londër, drama “Amadeus” fitoi çmimin “Evening Standard” dhe Çmimin e Kritikës.
“Amadeus” ose Borxhi i pashlyer i njerëzimit
Nga Altin Basha
Për shkaqe të kuptueshme më është dashur të endem në biografi të ndryshme mbi “Amadeus” ose “I preferuari i Zotit”, siç do mund të përkthehej fjalë për fjalë titulli i veprës. Asgjë nuk më ka goditur më shumë se indiferenca e racës njerëzore ndaj një gjeniu të këtyre përmasave. Me gjithë ndryshimet dhe debatet, të gjitha biografitë bashkohen në një pikë: Moxarti nuk ka varr, eshtrat e tij janë zhdukur, varrimi i tij është bërë në mënyrën më jodinjitoze dhe më antihumane të mundshme. Duke shtuar këtu dhe dimensionin e tij si një gjeni i pakundërshtueshëm, ky gabim i njerëzimit bëhet një Faj i Madh. Shfaqja do t’i ngjajë pikërisht atij vajtimi të munguar për Mjeshtrin. Hijet fantomatike që kaluan në rresht para shtëpisë së tij, do jenë figurat dhe personazhet e shfaqjes. “Amadeus” është një ftesë për një udhëtim në universin e gjeniut të pavlerësuar. Si në një ëndërr, publiku do të futet në universin moxartian për të ridimensionuar fuqinë e talentit. V.A.Moxart nuk është vetëm autor i “Marshit turk”, siç për ironi e njohin të gjithë, por një nga dëshmitë e fuqisë së gjeniut artist, si një Krijim Hyjnor.
Regjisor