Amazon i ngulfat botuesit
Franco (33) është bërë kështu emri i fundit në mesin e shumë shkrimtarëve të tjerë të njohur që tashmë janë pjesë e listës së pagesave të Amazon. Sipas raporteve të ‘New York Observer’, libri i tij i fundit, që ende mban emrin e punës “Aktorët, në Mënyrë Anonime”, do të merret me karrierën e tij në industrinë e filmit.
Kontratat e Amaz me Franco’n, e cila ende duhet të vërtetohet edhe formalisht nga të dyja palët, paraqet trendin e ri në sferën e shtëpive botuese. Kjo librari e madhe online (megjithëse jo vetëm një librari e thjeshtë) tashmë ka përmbyllur kontratat për librat e ri edhe me “gurunë’ indian Deepak Chopra, me shkrimtarin e ‘self-help’ literaturës (vetëndihmuese), Timothy Ferriss, dhe me aktoren e regjisoren, Penny Marshall.
Një rritje e tillë e Amazon ka vite që po “gërryen” profitin e botuesve kryesorë në botë, të cilët kanë frikë se ky gjigant online do të mund t’ia marrë kësaj industrie edhe pjesën e mbetur të tortës.
Prejse ka filluar vitin e kaluar, ky trend i ri në sferën e botimeve ka nxjerrë një sërë titujsh, duke filluar që nga zhanri i fantastikës shkencore e deri te romanet e dashurisë. Madje, deri tani janë botuar me qindra tituj, qoftë në formatin fizik apo në atë elektronik.
Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se këtu bëhet fjalë për shuma të konsiderueshme për kontratat e atyre që konsiderohen yje të profesionit letrar.
Ndryshimi i rregullave
Kështu, për shembull, kontrata e Chopra’s për librin e tij të memoareve, të cilin ai e ka shkruar bashkë me të vëllanë, Sanjiav, kap vlerën e gjysmë milion dollarëve.
Robert Gottlieb, agjenti letrar që negocioi me Chopra’n, kontratën me të e përshkroi si “një ndryshim të rregullave të industrisë botuese”. E ky ndryshim, natyrisht, më së tepërmi e dëmtoi njërën prej shtëpive kryesore botuese, Crown, e cila përkujdesej për vitet të tëra për kontratat e majme letrare të Chopra’s.