Ambasada amerikane falënderon Policinë e Shtetit për sigurinë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka falënderuar publikisht Policinë e Shtetit për shërbimin e saj në garantimin e sigurisë së Ambasadës. Në një ceremoni vlerësimi të zhvilluar të enjten, e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, së bashku me Zyrën Rajonale të Sigurisë, nderuan disa nga punonjësit e Policisë, disa prej të cilëve kanë shërbyer për më shumë se 15 vjet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane shprehu vlerësimin e thellë për bashkëpunimin me forcat e rendit në Shqipëri.
“Një falënderim për Policinë e Shtetit që e bën ambasadën tonë më të sigurt çdo ditë!”, shkruhej në postim.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara e vlerëson thellësisht partneritetin tonë me forcat e rendit në Shqipëri për të penguar kërcënimet dhe për të mbrojtur qytetarët tanë,” thuhet më tej në deklaratë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë.
/rtsh.al/