E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada bullgare sqaron aktin e grisjes së flamurit të Kosovës

shk_965781194Prishtinë- Ambasada Bullgare në Kosovë ka reaguar sot lidhur me një video në të cilën tregohet një ish-deputet bullgar duke grisur flamurin e Kosovës.

Në një sqarim drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, ambasada sqaron:

“Ambasada e Bullgarisë në Kosovë dëshiron të theksoj se z. Pavel Chernev kurrë nuk ka qenë ministër në ndonjë Qeveri bullgare. Brenda periudhës 2005-2009 ai ka qenë anëtar i Parlamentit Bullgar”, thuhet në këtë sqarim.

Po ashtu, theksohet se për herë të parë lajmi është publikuar nga kanali televiziv serb TV Puls, ndërsa është postuar në Youtube në mars 2008 dhe sqaron se përdorimi i një video-materiali të vjetër nga mediat është në shpërputhje të plotë me realitetin aktual politik ‘dhe rrjedhimisht i pakuptimtë’. 

“Konferenca për media, të cilës mediat i referohen ndërlidhet me vendimin e Qeverisë bullgare, e cila më 19 mars 2008 kishte marrë vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavel Chernev dhe sjellja e tij në atë kohë reflektojnë pikëpamjet e tij personale”, thuhet ndër të tjera, në sqarim.

Teksa thekson: ”Bullgaria nuk ka asnjë çështje të hapur apo të pazgjidhur në relacionet tona bilaterale me Republikën e Kosovës.  Ato nuk mund të ndikohen as nga mbulime të tilla mediale…”.

Bullgaria është njëra ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe e ka ndihmuar Qeverinë e Kosovës në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, si dhe në proceset e integrimit në BE dhe në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›