Ambasada e SHBA: Kush punon për kundërshtarët tanë, nuk ka vizë

Ambasada e SHBA në Tiranë ka ndarë një postim në rrjete sociale, ku njofton shtrëngimin e masave ndaj lëshimit të vizave.
Sipas ambasadës, Departamenti i Shtetit po shtrëngon masat ndaj vizave për personat që sipas tyre “punojnë në emër të kundërshtarëve të SHBA-së”.

Sipas një deklarate zyrtare të Departamentit të Shtetit, politika e zgjeruar u jep autoriteteve amerikane mundësinë të refuzojnë viza për persona që angazhohen qëllimisht në aktivitete që “minojnë interesat e Amerikës” në rajon. Institucioni thekson se kjo masë lidhet drejtpërdrejt me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të presidentit Trump, e cila synon të pengojë fuqitë kundërshtare të kontrollojnë asete strategjike apo të kërcënojnë sigurinë dhe prosperitetin e SHBA-së.
“Departamenti i Shtetit po punon për të avancuar lidershipin amerikan në hemisferë, për të mbrojtur territorin tonë dhe për të garantuar akses në rrugë dhe zona jetike,” thuhet në njoftim. Në këtë kuadër, zgjerimi i politikës ekzistuese synon individë që veprojnë në interes të aktorëve kundërshtarë dhe që ndikojnë në sigurinë rajonale apo sovranitetin demokratik.
Një element i rëndësishëm i kësaj mase është përfshirja edhe e familjarëve të personave të prekur. Sipas Departamentit të Shtetit, individët që bien nën këtë politikë, si dhe anëtarët e afërt të familjes së tyre, “në përgjithësi nuk do të jenë të pranueshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara”.