PAMJET/ Momenti kur Garda e Iranit sekuestron dy anijet në Hormuz

Publikohen momentet e sekuestrimit të dy anijeve tregtare në ngushticën e Hormuzit nga Garda Revolucionare Iraniane.
Pamjet tregojnë momentin kur forcat e Gardës Revolucionare iraniane ndërhyjnë për të sekuestruar anijen greke “Epaminondas”, e cila lundronte nën flamurin e Liberisë.
Anija u ndalua pasi u përpoq të kalonte në kanalin e Hormuzit pa iu nënshtruar kushteve të Teheranit dhe duke fikur sistemet e navigimit.
Kjo është njëra nga dy anijet e sekuestruara të mërkurën, së bashku me mjetin “MSC Francesca” me flamur të Panamasë, ku gjendeshin edhe katër detarë malazezë.
Një anije e tretë u godit me armë zjarri, por fatmirësisht nuk u raportua për të plagosur. Ky shënon rastin e parë që prej nisjes së konfliktit që Irani sekuestron zyrtarisht anije mallrash në këtë arterie jetike.
Kryenegociatori iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se rihapja e kanalit të Hormuzit është aktualisht “e pamundur”.
Sipas tij, bllokada amerikane dhe shkeljet flagrante të armëpushimit nga SHBA dhe Izraeli janë pengesa kryesore për lundrimin e lirë.
Në krahun tjetër, Presidenti Donald Trump u shpreh se nuk ndjen asnjë presion kohor për përfundimin e luftës me Iranin. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Trump është i kënaqur me rezultatet e bllokadës, e cila po e mbyt ekonomikisht Teheranin.
LEXO EDHE: Trump urdhëron Marinën Amerikane: Qëlloni çdo anije që tenton të minojë Ngushticën e Hormuzit