Ambasada e SHBA paralajmëron qytetarët për protestën e opozitës

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri publikoi të enjten një njoftim për qytetarët amerikanë në lidhje me protestën e paralajmëruar nga opozita, që pritet të zhvillohet mbrëmjen e së premtes në kryeqytet.
Protesta është planifikuar të nisë në orën 19:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes sheshit “Skënderbej” dhe sheshit “Nënë Tereza”, pranë godinës së Kryeministrisë.
Ambasada amerikane bën të ditur se tubimi mund të shtrihet edhe në zona të tjera përreth, ndërsa paralajmëron për prani të shtuar të forcave policore, bllokime të mundshme rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit para dhe gjatë zhvillimit të protestës.
Në njoftim theksohet se personeli i ambasadës është udhëzuar të shmangë zonën ku do të mbahet protesta. Po ashtu, qytetarëve amerikanë u rekomandohet të mos marrin pjesë në aktivitet dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në Tiranë.
Ambasada këshillon qytetarët të shmangin zonat ku zhvillohen protestat, të jenë të vetëdijshëm për ambientin përreth, të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar, të kenë një plan emergjence ose rrugë alternative largimi, si dhe të mbajnë profil të ulët gjatë lëvizjeve në publik.
“Edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
/gj.m/r.e/a.f/